Nisi si “Skënderbe” dhe përfundoi si “Rama”/ Qeveria ndryshon projektin e kullës, i shton një kat sipër!

13 Mars 2026, 20:02 / POLITIKË ALFA PRESS

Nisi si “Skënderbe” dhe përfundoi si “Rama”/

Një nga projektet më të debatuara të ndërtimit ka qenë kulla që po ngrihet në qendër të Tiranës, mbrapa Pallatit të Kulturës, e emërtuar “Tirana Rock”, teksa ndërtimet kanë avancuar.

Por, siç ndodh rëndom në të gjitha kantieret e ndërtimit, firmat kërkojnë më shumë sipërfaqe dhe kate shtesë, disa prej të cilave i kanë ndërtuar pa leje dhe të tjera tashmë kanë gjetur edhe institucionin që po ua “legalizon”.

Redaksia e Vox News hulumtoi dokumente të reja dhe të vjetra të të gjithë projektit, ku rezulton se “Tirana Rock” mori një leje për 25 kate, ndërkohë që në vitin 2026, qeveria ka marrë një vendim për t’i shtuar 1 kat.

Nëse ndërtuesit më parë përdornin ndërto dhe legalizo, tashmë qeveria është bërë institucioni kryesor që po “legalizon” çdo ndërtim, duke ndryshuar projektet fillestare, duke bërë edhe ndryshime në volum.

Por nëse plani urbanistik është miratuar me kohë, madje edhe lartësia apo gjerësia e ndërtimit, përse jepen shtesa lejesh? A mos vallë KKTU-ja, një institucion në varësi direkt te Kryeministrisë, është kthyer në një “qokë” për të gjithë ndërtuesit? Duket se, edhe aksionet e disa viteve më parë, apo javëve më parë, janë bërë me qëllimin e vetëm që çdo ndërtues duhet të trokasë në KKTU dhe jo të korruptojë zyrtarë të IMT-së, IKMT-së apo edhe zyrat e urbanistikës në pushtetin lokal.

Jo vetëm kaq, po kryeministri Edi Rama i vë edhe emrin, firmën dhe vulën për t’i shtuar “Ramës” një tjetër kat, ndoshta me mendimin për t’i ngjasuar më shumë! Vox News ka hulumtuar dokumentet e vitit 2018, të lejes së KKTU-së, ku theksohet se jepet vendimi për miratimin e objektit të banimit dhe shërbimit “Tirana Rock”, me 25 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë”. Sipas tyre, parcela e propozuar për zhvillim është në qendër të Tiranës, në vendin që dikur ka qenë Pazari i Vjetër. Prona është 1.930 metra katrorë dhe kufizohet me Unazën e Vogël të Tiranës.

Nisi si “Skënderbe” dhe përfundoi si “Rama”/

Nisi si “Skënderbe” dhe përfundoi si “Rama”/

Ndërkohë, Vox News ka hulumtuar edhe lejen e vitit 2026, të zbardhur pak ditë më parë, teksa janë njoftuar edhe firmat e ndërtimit Ana Shpk dhe Vi Vi, të cilat do t’i shtojnë kullës edhe 1 kat. Në dokumente përcaktohen edhe ndryshimet e projektit, teksa nuk jepet shumë informacion se përse u kërkuan këto ndryshime.

Ajo që vihet re është se, kulla nga 25 kate do të shkojë në 26 kate, ndërkohë që do të ketë edhe ndryshime të tjera. Në fund, janë firmat e kryeministrit Edi Rama dhe të ish-zv. Kryeministres Belinda Balluku, e cila gjatë kohës që ka qenë nën hetim nga SPAK, apo edhe në periudhën kur Prokuroria kërkoi që t’i hiqej imuniteti, ka qenë mjaft aktive në zbardhjen e lejeve.

Në lejen e parë të ndërtimit, atë të para 8 viteve, përcaktohet se Tirana Rock plotëson vargun e kullave në qendër të qytetit. Sipas saj, fasada do të ketë edhe një shtresëzim human, ku do të perceptohet nga pika të ndryshme të sheshit, apo edhe nga këndvështrimi skulpturor, ku kulla merr trajtat e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.

Por, e parë nga pika të ndryshme me sy të lirë, kulla ka më shumë ngjashmëri me kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama. Madje, shumë vizitorë dhe arkitektë kanë deklaruar se kulla ka hijen e Ramës, teksa fasada duket se i është përshtatur më shumë fizionomisë së tij sesa të Skënderbeut. / Voxnews/

Po ndodh...