Shtyhet seanca në Gjykatën Administrative, Veliaj: Vendimi i Kushtetueses evidentoi mangësi serioze në justifikimin e paraburgimit tim

3 July 2026, 13:45 / POLITIKË ALFA PRESS

Në Gjykatën Administrative është shtyrë seanca për shqyrtim të padisë së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kundër prokurorit Ols Dado. Shkak është bërë mungesa e avokatit të tij mbrojtjes, Plarent Ndreca.

Ndërkohë i pranishëm në seanca, Veliaj ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka evidentuar shkelje të rëndësishme në mënyrën se si është trajtuar masa e paraburgimit ndaj tij.

Veliaj tha gjithashtu se Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin e tij si kryebashkiak i Tiranës.

“Dje u zbardh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin tim si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe nuk kishte trajtuar në mënyrën e duhur pretendimet për cenimin e dinjitetit tim nga mbajtja në kabinën e xhamit. Për më tepër, një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka arritur në përfundimin se, bazuar në provat e administruara, nuk rezulton të jetë arritur as standardi kushtetues i dyshimit të arsyeshëm se kam kryer vepër penale.

Këto nuk janë pasoja abstrakte. Unë ndodhem prej 16 muajsh në paraburgim dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është justifikuar kufizimi i lirisë sime”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi gjithashtu se një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka arritur në përfundimin se, bazuar në provat e administruara, nuk është arritur standardi kushtetues i “dyshimit të arsyeshëm” se ai ka kryer një vepër penale.

“Pikërisht për këtë arsye, ky gjykim administrativ ka një rëndësi që shkon shumë përtej personit tim apo personit të z. Olsi Dado. Ky nuk është një proces për emra të përveçëm. Ky është një proces për të përcaktuar nëse një person, ligjshmëria e emërimit të të cilit vihet seriozisht në diskutim, mund të ushtrojë kompetenca që ndërhyjnë deri në kufizimin e lirisë së një qytetari, në cenimin e dinjitetit të tij dhe në pamundësimin e ushtrimit të një mandati të fituar drejtpërdrejt nga vullneti demokratik i qytetarëve të Tiranës. Në thelb, kjo çështje prek vetë besimin te shteti i së drejtës dhe te demokracia kushtetuese. Për këtë arsye, po e vë në dispozicion të Gjykatës vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, si një zhvillim me rëndësi të drejtpërdrejtë për këtë proces”.

Po ndodh...

ide