Rritet “oreksi” për kredi në Maj/ Huaja e re arriti në 39.9 miliardë lekë, zgjerimi u mbështet nga individët
Sipas të dhënave të fundit të “Bankës së Shqipërisë”, totali i kredisë për ekonominë arriti në 978 miliardë lekë në fund të muajit maj 2026, duke u zgjeruar me rreth 9.8 miliardë lekë krahasuar me prillin. Rritja konfirmon vijimin e ecurisë pozitive të huadhënies, ndërsa stoku i kredisë po i afrohet gjithnjë e më shumë nivelit të 1 trilion lekëve.
Në të njëjtën kohë, huaja e re e disbursuar nga sistemi bankar gjatë muajit maj arriti në 39.9 miliardë lekë, nga 34.4 miliardë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej rreth 16.0%, ndërsa niveli i muajit maj 2026 është më i larti i regjistruar ndonjëherë për këtë muaj.
Zgjerimi i huadhënies vijon të mbështetet kryesisht nga bizneset. Kreditë e reja për korporatat jofinanciare private arritën në 25.5 miliardë lekë në maj, nga 23 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një rritje prej rreth 11%. Kjo tregon se kërkesa për financim nga sektori privat mbetet e fortë, ndërsa bizneset vijojnë të investojnë dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Ndërkohë, ritmet e huamarrjes janë përshpejtuar edhe te individët. Kreditë e reja për individët dhe institucionet jofitimprurëse që u shërbejnë atyre arritën në 14.2 miliardë lekë, nga 11.4 miliardë lekë në maj të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 25.2%. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për muajin maj.
Rritja është mbështetur kryesisht nga kreditë për blerje banesash. Gjatë muajit maj, bankat disbursuan 7.4 miliardë lekë hua të reja për këtë qëllim, nga 5.9 miliardë lekë një vit më parë. Me një rritje vjetore prej rreth 25.4%, kjo kategori regjistroi nivelin më të lartë historik për muajin maj, duke treguar se kërkesa për financimin e blerjes së banesave mbetet shumë e fortë, pavarësisht masave shtrënguese të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për kreditimin hipotekor.
Të dhënat tregojnë se, ndryshe nga muajt e parë të vitit kur kreditimi për banesa kishte shfaqur shenja ngadalësimi, në muajin maj huamarrja për pasuri të paluajtshme ka rifituar vrull. Kjo sugjeron se kërkesa në tregun e banesave mbetet e lartë, ndërsa familjet vijojnë të mbështeten te financimi bankar për blerjen e pronave./SCAN
Po ndodh...
Nuk mund të jesh engjëll nëse mbron djallin...
ide
Revolucioni si alternativë ndaj tranzicionit pa fund
“Po kontrolloj rënien!”
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128