Media e madhe zviceriane: Për sa kohë që aleanca Rama-Berisha vazhdon, Rama e ruan avantazhin!

Mijëra qytetarë protestuan mbrëmjen e së martës në qendër të Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Protesta, e thirrur nga Partia Demokratike, degjeneroi në përplasje të dhunshme me policinë, duke sjellë tensione serioze në kryeqytet.
Sipas korrespondentit të huaj të SRF, Janis Fahrländer, protesta nisi paqësisht, por situata u përshkallëzua pas fjalimit të kreut të opozitës, Sali Berisha, i cili akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për “grusht shteti institucional”. Berisha kërkoi përmbysjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Pas përfundimit të fjalimit, një pjesë e protestuesve sulmoi kordonin e policisë me mjete të forta dhe kokteje molotov. Forcat e rendit reaguan me gaz lotsjellës dhe topa uji. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se 21 protestues dhe 19 efektivë policie përfunduan në spital, kryesisht për shkak të ekspozimit ndaj gazit lotsjellës.
Sa të bazuara janë akuzat për korrupsion?
Shkak i drejtpërdrejtë i protestave janë akuzat për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të ngritura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një institucion që gëzon reputacion të lartë për pavarësinë e tij.
Sipas hetimeve, Balluku dyshohet se ka shpërdoruar fonde publike gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, konkretisht në procedurat e dhënies së kontratave të ndërtimit. Në fund të vitit 2025, ajo u shkarkua nga funksionet e saj, vendim që kryeministri Rama e kundërshtoi duke e apeluar në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, kjo e fundit e la në fuqi vendimin, duke e pezulluar përfundimisht Ballukun nga detyra.
Sa serioz është problemi i korrupsionit në Shqipëri?
Korrupsioni mbetet një problem i thellë dhe sistemik në Shqipëri. Kjo pasqyrohet edhe në raportin vjetor të Transparency International, publikuar të martën, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 91-të nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke shënuar një rënie të lehtë.
SPAK gëzon vlerësime të shumta ndërkombëtare për punën e tij dhe mbështetje të lartë publike, pasi ka ndërmarrë hetime ndaj figurave të rëndësishme politike, përfshirë edhe persona nga rrethi i ngushtë i kryeministrit Rama, si kryebashkiaku i Tiranës, një vit më parë. Nga ana tjetër, edhe opozita është objekt hetimesh, përfshirë vetë kreun e saj, Sali Berisha.
Pse opozita po i rikthehet protestave?
Në kushtet e dobësisë politike dhe mungesës së mekanizmave efektivë institucionalë për të ndikuar qeverinë, opozita po përdor protestat si mjet presioni publik dhe politik. Protestat synojnë të rrisin mobilizimin qytetar, të mbajnë gjallë tensionin politik dhe të krijojnë perceptimin e një krize legjitimiteti për qeverinë.
A përbëjnë protestat rrezik real për qeverinë?
Pavarësisht përshkallëzimit të dhunës, protestat aktuale nuk përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin e qeverisë. Kryeministri Rama fitoi mandatin e katërt një vit më parë dhe kontrollon pozicione kyçe në administratën shtetërore. Ai gëzon gjithashtu mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit europian, një prioritet madhor për shoqërinë shqiptare.
Historia politike e vendit tregon se opozita ka tentuar edhe më parë të ushtrojë presion përmes protestave masive, pa arritur rezultate konkrete. Për më tepër, opozita aktualisht ndodhet në një fazë fragmentimi dhe dobësie strukturore. Për sa kohë vazhdon raporti i tensionuar, por edhe "aleanca" (Ndërlidhja) politikisht Rama–Berisha, avantazhi mbetet në duart e kryeministrit./ Përktheu Alfapress.al nga SRF.CH
Po ndodh...
ide
Po Berisha, a i mban mend protestat e Bashës?
Kilometri i fundit si ai i parafundit dhe pyetja e Nastradinit
Shqipëria nën kthetrat e korrupsionit!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128