Shqipëria nën kthetrat e korrupsionit!

10 Shkurt 2026, 20:51 / IDE NGA TAULANDA JUPI

Shqipëria nën kthetrat e korrupsionit!

Të ndalen inciativat për ndryshime ligjore.
Në një kohë kur perceptimi i korrupsionit në Shqipëri po përkeqësohet dhe besimi te institucionet publike po dobësohet, lufta kundër korrupsionit është rruga e vetme, themeli i pakompromis i një shteti të drejtë e demokratik.
Reforma në drejtësi mbetet një nga arritjet më të rëndësishme të vendit dhe themeli i domosdoshëm për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe të shtetit të së drejtës. Çdo përpjekje për ta dobësuar atë reformë përmes ndryshimeve ligjore apo kushtetuese, si reagim ndaj hetimeve apo vendimeve të drejtësisë, përbën një kërcënim të qartë dhe të menjëhershëm për demokracinë.
Të dhënat e Transparency International e bëjnë situatën edhe më shqetësuese: Shqipëria ka zbritur nga vendi i 80-të në vitin 2024 në vendin e 91-të në vitin 2025 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, ndërsa rezultati ka rënë nga 42 në 39 pikë. Ky regres nuk është thjesht një numër, është pasqyrimi i një realiteti ku korrupsioni perceptohet si i mbrojtur dhe drejtësia si e penguar. Çdo ndërhyrje ligjore që tenton të mbrojë pushtetin nga hetimet penale ushqen këtë perceptim dhe përforcon rrëshqitjen e vendit drejt një sistemi ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.
Lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet duke dobësuar prokurorinë, gjykatat apo mekanizmat e kontrollit kushtetues. Përkundrazi, ajo kërkon respekt të plotë për ndarjen e pushteteve dhe barazinë para ligjit.
Çdo tentativë për të vendosur ekzekutivin mbi drejtësinë, qoftë edhe me justifikimin e stabilitetit, është një goditje direkte ndaj shtetit të së drejtës dhe shkatërron besimin publik te institucionet.
Në këtë kuadër, mosveprimi ose tolerimi i ndërhyrjeve të tilla nuk është neutralitet është bashkëfajësi në normalizimin e korrupsionit.

Po ndodh...

ide