Haxhinasto zbulon prapaskenat: Ju tregoj si manipulohen ligjet në kuvendin e Shqipërisë

27 Janar 2026, 11:28 / POLITIKË ALFA PRESS

Haxhinasto zbulon prapaskenat: Ju tregoj si manipulohen ligjet në kuvendin

Në një fjalim të mbajtur në seancë plenare, deputeti Edmond Haxhinasto ka lëshuar akuza të forta mbi mënyrën se si miratohen ligjet në Parlamentin e Shqipërisë, duke denoncuar një proces të nxituar dhe me defekte serioze që cënojnë cilësinë dhe integritetin e legjislacionit.

"Në fakt e kam përmendur edhe më parë në këtë sallë. Kam kërkuar që të tregohet një respekt dhe madje vëmendje e duhur për mënyrën se si miratohen ligjet në këtë parlament.

Dhe i jam referuar pikërisht procedurave që kanë institucione që ne i marrim si shembull dhe përpiqemi t'i ngjajmë. Flas për parlamentin Europian konkretisht.

Dhe ju kam thënë që në rastet kur ka konsensus, një ligj duhet të trajtohet në dy muaj minimalisht.

Kurse këtu kalon në dy ditë edhe kur nuk ka konsensus. Po kështu në kongresin amerikan, ka pothuajse tetë-nëntë muaj që diskutohet një bill edhe për rajonin tonë.

Janë bërë dy lexime. Kjo tregon që çdo gërmë, çdo presje, çdo pikë ka rëndësi në ligje.

Kurse këtu përballemi me situata ku sillen ligje të reja, ndërkohë që mund të bëhen me amendime.

Ose bëhen amendime që ndryshojnë konceptet krejtësisht të ligjit. Kjo tregon që ka një mungesë të theksuar të rëndësisë që i japim vetë ligjit.

Duket sikur sasia është më e rëndësishme se sa cilësia. Ndërkohë që për fazën që jemi, për qëllimin ku duam të shkojmë, në Bashkimin Europian, duhet t'i kushtojmë rëndësi shumë më të madhe cilësisë së ligjeve që miratojmë.

Gjithashtu dua të them, zoti kryetar, se shikoj disa difekte shumë serioze në mënyrën si zbardhen ligjet. Ndryshe diskutohen në komisione, ndryshe i shohim, tekste të ndryshme i shohim në seancë plenare miratim dhe pastaj i shohim ndryshe të zbardhura.

Kjo është një gabim shumë serioz dhe një vepër shumë e ulët e atyre që fusin duart dhe i bëjnë. Gjithashtu dua të them që duhet të ketë pak më shumë respekt për rastet kur ne kërkojmë ose bëjmë pyetje nëpër komisione dhe nuk na përgjigjen, do i çojmë me shkrim thonë. Kjo nuk ndodh kurrë.

Kështu ndodhi për një projekt energjie në Belsh, kërkuam bonitetin e tokës, nuk erdhi kurrë, ligji u miratua. Po kështu kërkuam, është sot ai marrëveshja me Italinë. Kërkuam shpjegime për dy-tre çështje të rëndësishme të marrëveshjes, nuk erdhën kurrë. Sot do miratohet ajo marrëveshje.

Pra, mos të ecim me atë konceptin që përdorim edhe për gjëra të tjera, përdorim edhe për qeverisjen. Jemi vendi që kemi më shumë sinonime për fjalën vari torbën, po tani nuk është koha për vari torbën. Tani është koha për cilësi, përgjegjshmëri dhe respekt në procesin legjislativ", u shpreh Haxhinasto

Po ndodh...

ide