Emrat e delegacionit zyrtar/ Berisha fshihet pas fustanit të Albana Vokshit, për t’u futur në Asamblenë e Këshillit të Europës!

26 Janar 2026, 13:46 / POLITIKË NGA ALFAPRESS

Emrat e delegacionit zyrtar/ Berisha fshihet pas fustanit të Albana

Vjen një moment kur propaganda pushon së qeni thjesht gënjeshtër politike dhe kthehet në farsë dhe ky është rasti i fundit i Sali Berishës, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku del qartë një përpjekje e dëshpëruar dhe e shëmtuar për të simuluar rëndësi ndërkombëtare, në një kohë kur të gjitha rrugët reale drejt Perëndimit i janë mbyllur.

Një dokument zyrtar që Alfapress.al, ka mundur të sigurojë, shihet qartë se në delegacionin shqiptar figurojnë emra konkretë, të autorizuar institucionalisht, ndërkohë që përfaqësuese e PD-së e ftuar nga Strasburgu është vetëm Albana Vokshi.

Emri i Berishës nuk ekziston askund, as si anëtar, as si zëvendësues, as si “i ftuar”.

Emrat e delegacionit zyrtar/ Berisha fshihet pas fustanit të Albana

Duhet ditur se Asambleja Parlamentare nuk funksionon me hije, as me persona të padeklaruar, as me “hyrje nga dera e pasme”.

Dhe megjithatë, Berisha ka tentuar ta shesë publikisht praninë e tij si pjesëmarrje zyrtare. Kjo nuk është më thjesht manipulim politik, por përpjekje për të mashtruar opinionin publik dhe militantët e vet, duke krijuar iluzionin e një mbështetjeje ndërkombëtare që nuk ekziston.

Pse ndodh kjo? Sepse realiteti është i egër dhe Berishës i janë mbyllur të gjitha dyert në kancelaritë evropiane dhe amerikane. Ai nuk pritet, nuk ftohet, nuk konsiderohet. Nuk është partner politik, por një figurë e izoluar, e padëshiruar në forumet serioze perëndimore. Dhe kur nuk të hapin dyert, tenton të futesh nga dritarja.

Kështu lind edhe absurdi politik, ku një ish-kryeministër, që dikur shëtiste në samite ndërkombëtare, sot “detyrohet” të fshihet pas fustanit të Albana Vokshit për të hyrë fshehurazi në Strasburg, ndërsa jashtë Shqipërisë askush nuk e njeh si përfaqësues legjitim. Ndërkohë, brenda vendit, demokratëve u shitet përralla e radhës për “mbështetje të fortë ndërkombëtare”, për “aleatë strategjikë”, për “Perëndimin që është me ne”.

E vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur: kjo mbështetje as nuk është, as nuk ka më mundësi të rikthehet.

Ironia historike e PD-së është se i vetmi drejtues që realisht e kishte këtë mbështetje — nga BE dhe SHBA ishte Lulzim Basha. Pikërisht ai u shpall “spiun i Perëndimit”, u linçua dhe u përzë nga Berisha. Sot, i njëjti Berishë prodhon skena groteske, duke tentuar të legjitimohet me marifete që nuk i shkojnë as një militanti anonim, e jo më një ish-kryeministri.

Politika serioze nuk bëhet me badge fallco, as me hyrje të fshehta, as me lista që nuk ekzistojnë. Kur Perëndimi të mbyll dyert, nuk i hap dot duke gënjyer publikun shqiptar. Dhe kur e vetmja mënyrë për t’u dukur “ndërkombëtar” është të fshihesh pas emrit të një deputeteje, atëherë problemi nuk është dokumenti, është skadenca politike./Alfapress.al

Po ndodh...

ide