Detaje nga mbledhja në Këshillin e Mandateve, debat mes deputetëve të PS dhe PD në sallë

19 Dhjetor 2025, 14:07 / POLITIKË ALFA PRESS

Detaje nga mbledhja në Këshillin e Mandateve, debat mes

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit po shqyrton kërkesën e SPAK ndaj Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit për zv/kryeministren e njëherësh deputeten Belinda Balluku.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetin që ka nisur prej orës 10:30, janë edhe kreu i ri i SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorët e Strukturës së Posaçme, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.

Ndërkaq, zv/kryeministrja Balluku është parë duke hyrë në Kryeministri, pasi paralelisht u zhvillua mbledhja e qeverisë.

Ka pasur debate të vazhdueshme proceduriale, por është rënë dakord parimisht që mbledhja në Këshillin e Mandateve të shtyhet. Edhe avokati i Ballukut ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me materialin.

Partia Demokratike ka kërkuar fillimisht që mbledhja të jetë e hapur deri në momentin që prokurorët e SPAK të jepnin informacion të konsideruar sekret hetimor. Kjo nuk është pranuar as nga Peleshi e as nga prokurorët e SPAK, të cilët kanë kërkuar që i gjithë procesi të zhvillohet i mbyllur, përfshirë edhe seancën plenare.

Kryetari i Kuvendit u ka kërkuar prokurorëve të propozojnë një mënyrë, që deputetët të kenë akses në informacionin konfidencial.

Bardhi: Mbledhja të e hapur për median dhe publikun. Të marrin pjesë të gjithë deputetët dhe të na vihen në dispozicion provat.

Balla: Mbledhja e mbyllur sepse duhet ruajtur sekret hetimor. Në mbledhje duhet të jenë vetëm anëtarët e Këshillit.

Po ashtu, opozita ka kërkuar të marrë USB-në për ta shqyrtuar pas mbledhjes, ndërsa PS kërkon që dokumentacioni i sjellë nga SPAK të mos dalë nga seanca.

Prokurorët deklaruan se materialet në USB mund të aksesohen vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, por ranë dakord që deputetët ta marrin me vete.

Nga ana tjetër, Balla ka thënë se provat duhet të shqyrtohen gjatë mbledhjes dhe nuk do të merren jashtë saj.

Jashtë ambienteve të Parlamentit po zhvillohet ende një protestë, ku shihen pankarta me thirrjet “Dorëzoni hajdutët”, “Pa drejtësi, nuk ka BE”, etj….

Debati mes PS e PD ditët e fundit është përqendruar pikërisht te USB-ja që përmban dokumentacionin e SPAK, e cila është depozituar në kasafortën e protokollit të Kuvendit.

Partia Demokratike dhe kryetari i Kuvendit Niko Peleshi kanë pasur qëndrime të kundërta mbi mënyrën sesi duhet trajtuar ky material.

Në relacionin zyrtar dërguar Kuvendit, SPAK ka renditur arsyet se pse është i nevojshëm heqja e imunitetit të Ballukut. Prokuroria pretendon se ajo ka ndërhyrë në manipulimin e 12 procedurave tenderuese.

Sipas SPAK, ekziston rreziku që, për shkak të pozitës dhe profilit të saj, Balluku të kryejë veprime penale të tjera.

Gjatë seancës, zëvendëskryeministrja nuk u paraqit personalisht. Ajo zgjodhi të përfaqësohej nga avokati mbrojtës, për të gjitha shpjegimet e saj.

 

Po ndodh...

ide