Ambasadorja franceze Suard komenton protestat e opozitës: Këto imazhe dhune i bëjnë keq Shqipërisë!

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, ka folur këtë të premte në studion e Klan News për një sërë çështjesh, që nga marrëdhëniet mes Parisit dhe Tiranës e deri te procesi i integrimit europian.
Fillimisht, vuri theksin te vizita e djeshme e ministrit francez, Gerald Darmanin, duke thënë se ai erdhi në vendin tonë në një moment mjaft të rëndësishëm.
“Dy vendet tona po ndërmarrin hapa për bashkëpunime në disa fusha”, u shpreh ajo.
“Ekspertiza franceze në këtë fushë është ekspertizë ekselence, sepse shumë pjesë të Kodit aktual shqiptar janë frymëzuar nga kode të ndryshme franceze. Jemi të lumtur të sjellim ekspertizën tonë, duke bashkëpunuar më Shkollën e Magjistraturës”, shtoi Suard.
Është diskutuar së fundmi edhe për një bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, si do të përfitojë Shqipëria?
Suard: Faktikisht janë dy institucione shumë të rëndësishme në fushën e drejtësisë dhe rendit publik. Policia shqiptare i ka të gjitha mjetet që të punojë me ta. Janë dy dosje të Sky ECC që u shfrytëzuan në sajë të këtij bashkëpunimi. Ka edhe të tjera, kështu krijohen ekipe hetimore të përbashkëta, shkëmbime informacionesh e operacionesh që jep rezultate në terren.
‘Bashkim forcash’, por në cilat fusha të kriminalitetit?
“Kemi pasur tre ekipe të përbashkëta hetimore, në fusha të ndryshme. Që në vjedhjet që bëheshin në Francë, shitja e produkteve të vjedhura në Shqipëri, tek mashtrimi informatik apo te trafikimi i lëndëve narkotike”, u përgjigj Suard, duke veçuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, të cilat i quan “boshtet kryesore të bashkëpunimit”.
Sa i takon ecurisë së negociatave Shqipëri-BE, tha se “vrulli i reformave është i veçantë”.
“Si te reforma në drejtësi ashtu edhe te hapja e grup-kapitujve. Tani duhen mbyllur, patjetër që reforma në drejtësi është thelbësore, por nuk është kriteri kryesor. Duhet që reformat të ecin në të gjitha fushat. Kemi besim të aftësitë e Shqipërisë që të aderojë në Bashkimin Europian sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Suard.
“Jam e habitur nga disa komente që thonë se negociatat janë bllokuar. Asgjë nuk është bllokuar, është proces normal, ku secili duhet të japë besim te tjetri. Mund të thuhet që po merr kohë, por i rëndësishëm është rezultati. Jemi afër rezultatit”, u shpreh ajo.
Po çfarë mendimi ka për administrimin e pasurive kriminale në vendin tonë?
“Të gjithë jemi të bindur se përballë krimit të organizuar, dënimi dhe burgosja e këtyre personave nuk mjafton sepse shumica e tyre pranojnë ta bëjnë burgun sepse pastaj përfitojnë të mirat e bëra me aktivitet kriminal. Pasuritë duhen identifikuar dhe pastaj të konfiskohen. Këto përfitime të paligjshme, nga kjo pikëpamje kemi eksperiencë shumë të vjetër, kemi një agjenci të specializuar dhe kemi eksperiencë të fortë sa i përket përfitimit në kriptomonedha.
Duhet të punojmë me miqtë tanë shqiptarë, ministri ishte impresionuar nga një process që është përdorur në Shqipëri, që është ripërdorimi i disa pasurive në përfitim të familjeve të viktimave, të oficerëve apo agjentëve që kanë humbur jetën duke luftuar krimin.”
Dha një koment edhe për protestat e opozitës, që tanimë mbahen thuajse çdo fundjavë.
“Ju e dini se zakonisht nuk komentoj politikën e brendshme shqiptare, por do duhet të them… E drejta për të manifestuar është e njohur për të gjithë dhe në Francë kjo respektohet shumë, por dhuna është absolutisht e papranueshme! Manifestimet në Francë, organizatorët marrin masa që të shmangin këtë lloj dhune. Ndodh që të ketë njerëz të dhunshëm, atëherë organizatorët distancohen prej tyre dhe nuk i jep legjitimitet dhunës!
Në këtë moment, Shqipëria duhet të mendojë për të ardhmen e saj europiane dhe këto imazhe të fokalizuara i bëjnë keq imazhit të saj në Europë. Mesazhi që duhet përcjellë është se dhuna nuk ka vend në protesta”, përfundoi ambasadorja.
Po ndodh...
Sali Llapa
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
