“Protesta nuk është mbyllur”/ Lapaj: Do e çojmë vendin në referendum!

16 Maj 2026, 22:41 / POLITIKË ALFA PRESS

“Protesta nuk është mbyllur”/ Lapaj: Do e

Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi se protesta e nisur nga forca që ai drejton nuk ka përfunduar, por do të vijojë në një tjetër formë, përmes një aksioni politiko-juridik që synon zhvillimin e referendumeve në vend.

Lapaj u shpreh se protesta tashmë do të fokusohet në mbledhjen e firmave për të çuar në referendum dy ligje që, sipas tij, kanë sjellë pasoja të mëdha në vend: ligjin për investimet strategjike dhe ligjin për paketën e maleve.

“Protesta nuk është mbyllur. Është ridimensionuar. Është rrugëtim. Sigurisht që unë do të doja që masiviteti dhe përballja të kishte qenë aty dhe përfundimtare me këta që e drejtojnë Shqipërinë në mënyrë banditeske. Por, këtë nuk e kam unë në dorë, as ne. E ka gjithë popullata, realiteti social-kulturor ku jetojmë, shoqëria dhe momenti. Që kur dolëm thamë që do ta ridimensionojmë protestën. Për këtë arsye protesta do vazhdojë tani me një akt politiko-juridik. Ne i jemi drejtuar KQZ-së për të marrë formularët, për të çuar vendin në referendum sa i takon dy nga ligjeve të cilat kanë prodhuar problemet më të mëdha në 10 vitet e fundit, që është ligji për investimet strategjike dhe ligji për paketën e maleve, që pritet të aplikohet dhe të krijojë dëme shumë të mëdha në shoqëri”, tha Lapaj në A2CNN.

Ai bëri me dije se i janë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për formularët përkatës dhe se kërkesa është miratuar.

Sipas tij, duke nisur nga java e ardhshme do të fillojë një fushatë në terren për mbledhjen e 100 mijë firmave, nga 50 mijë për secilin ligj.

“Dhe për këtë arsye i jemi drejtuar KQZ-së, na është miratuar formulari, jemi duke bërë përgatitjet logjistike këto ditë dhe prej javës tjetër ne do të nisim në terren një rrugëtim pa ndalim për tetë muajt që vijnë për të mbledhur 100.000 firma, 50.000 për çdo ligj, dhe do ta çojmë vendin në referendum. Ne synojmë këtë gjë. Kështu që, protesta jonë do të përkthehet tashmë në një protestë që synon ta çojë vendin në referendum që qytetarët, përmes votes, për herë të parë pas 28 vitesh që nga Kushtetuta e vitit 1998, referendumi për miratimin e Kushtetutës, të shkojë në një referendum shfuqizues të dy ligjeve që, siç e keni parë, kanë krijuar debat të madh dhe problem”, shtoi ai.

Po ndodh...