Kush i pagoi shqiptarët në 2025? Biznesi privat mbulon gati gjysmën e kompensimit. Shteti, paguesi i dytë më i madh

8 July 2026, 23:05 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Kush i pagoi shqiptarët në 2025? Biznesi privat mbulon gati

Në një ekonomi ku paga mbetet treguesi më i ndjeshëm për qytetarët, pyetja se kush e financon realisht punën në Shqipëri nuk është thjesht statistikë. Ajo tregon se mbi cilët sektorë mbështetet tregu i punës dhe kush mban peshën kryesore të pagesave në ekonomi. Të dhënat më të fundit të INSTAT për llogaritë vjetore jofinanciare sipas sektorëve institucionalë tregojnë se, në vitin 2025, kompensimi i punonjësve, që përfshin pagat dhe kontributet shoqërore, zuri 33.57% të vlerës së shtuar bruto, nga 31.74% një vit më parë.

Në krye mbetet sektori jofinanciar, ku përfshihen kompanitë private në industri, ndërtim, tregti dhe shërbime të tjera. Ky sektor mbuloi 48.18% të totalit të kompensimit të punonjësve në vitin 2025, duke konfirmuar se biznesi privat vijon të jetë burimi kryesor i pagesave të punës në vend. Edhe pse pesha e tij është më e ulët se një vit më parë, ai mbetet larg sektorëve të tjerë në financimin e pagave dhe kontributeve.

Pas tij renditet administrata publike, me 29.55% të kompensimit total. Kjo do të thotë se shteti vijon të ketë një rol shumë të madh si punëdhënës dhe si pagues në ekonomi, duke mbuluar gati një të tretën e pagesave që lidhen me punën.

Rritje ka shënuar edhe sektori i familjeve, ku përfshihen të vetëpunësuarit, bizneset individuale dhe aktivitetet ekonomike familjare. Pesha e këtij sektori në kompensimin e punonjësve arriti në 18.09% në vitin 2025, nga 15.10% një vit më parë, duke treguar se puna e lidhur me vetëpunësimin dhe njësitë e vogla ekonomike ka fituar më shumë hapësirë në strukturën e pagesave.

Ndërkohë, sektori financiar, ku bëjnë pjesë bankat dhe institucionet financiare, ka një peshë modeste, me 3.38% të totalit. Edhe më e vogël është pesha e institucioneve jofitimprurëse në shërbim të familjeve, me vetëm 0.88%./SCAN

Po ndodh...

ide