Studimi zbulon profesionet më tërheqëse për një partner romantik

9 Mars 2026, 16:06 / JETË ALFA PRESS

Studimi zbulon profesionet më tërheqëse për një partner

Profesionet që lidhen me sektorin e kujdesit shëndetësor konsiderohen ndër më tërheqëset për ata që kërkojnë një partner romantik. Kështu tregon një studim i ri, i cili thekson se profesione si mjekët dhe infermierët lidhen me cilësi të vlerësuara shumë në një marrëdhënie, si inteligjenca, stabiliteti dhe kujdesi për të tjerët.

Studimi u realizua me 1 mijë burra dhe 1 mijë gra beqarë, me qëllim të identifikimit të profesioneve që perceptohen si më tërheqëse për një partner. Rezultatet treguan se 29% e të anketuarve e rendisin sektorin e shëndetësisë në vendin e parë.

Kur u analizuan profesionet specifike, mjekët u konsideruan profesioni më tërheqës nga 26% e pjesëmarrësve, ndërsa infermierët u renditën në vendin e tretë me 22%.

Arsimi dhe profesionet e tjera të preferuara

Në vendin e dytë për nga tërheqja u renditën profesionet në fushën e arsimit, të cilat morën 23% të votave. Megjithatë, studimi zbuloi edhe një ndryshim mes gjinive: burrat janë më të prirur të shohin një grua mësuese si partnere ideale (28%), ndërsa vetëm 19% e grave e konsiderojnë një burrë që punon në arsim si partner të dëshirueshëm.

Ndër profesionet që konsiderohen gjithashtu tërheqëse për një partner përfshihen avokatët (24%), shkencëtarët (16%), farmacistët (15%), si dhe profesionet në teknologji (14%), si programuesit dhe zhvilluesit e faqeve të internetit.

Financat nuk janë më në krye të listës

Ndryshe nga stereotipi i përhapur në rrjetet sociale për partnerin ideal – i lidhur me financat dhe pasurinë – studimi tregon se vetëm 18% e grave preferojnë një partner që punon në sektorin financiar. Ky profesion renditet më poshtë se sipërmarrësit dhe në të njëjtin nivel me artistët.

Ambicia dhe vlerat profesionale në një marrëdhënie

Studimi, i realizuar nga Talker Research për platformën e njohjeve “The League”, analizoi gjithashtu rolin e karrierës në marrëdhëniet romantike.

-44% e të anketuarve preferojnë një partner me ambicie të ngjashme profesionale

-34% do të donin një partner edhe më ambicioz se vetja

Gjithashtu, 39% e pjesëmarrësve preferojnë një marrëdhënie ku të dy partnerët kontribuojnë financiarisht në mënyrë të barabartë. Kjo prirje është më e theksuar tek gratë, ku 45% kërkojnë barazi në të ardhura, krahasuar me 33% të burrave.

Kur flitet për karrierën në takime?

Sipas sondazhit, 22% e njerëzve do të donin të diskutonin për objektivat profesionale edhe para takimit të parë. Megjithatë, në praktikë, shumica e njerëzve e përmendin profesionin e tyre rreth 54 minuta pas fillimit të takimit, ndërsa 18% e përmendin brenda 30 minutave të para.

Ekspertja e marrëdhënieve në “The League”, Rachel DeAlto, thekson se diskutimi i hershëm për karrierën mund të ndihmojë në kuptimin e vlerave dhe objektivave të përbashkëta.

Çfarë vlerësohet dhe çfarë konsiderohet “flamur i kuq”

Për pjesëmarrësit në studim, karriera nuk lidhet vetëm me të ardhurat. Ata vlerësojnë tek një partner:

-balancën mes jetës profesionale dhe personale (34%)

-dëshirën për të mësuar dhe për t’u përmirësuar (28%)

Nga ana tjetër, disa elemente konsiderohen negative në një marrëdhënie, si lodhja e vazhdueshme nga puna (32%), orët e shumta shtesë (29%) dhe ndryshimi i shpeshtë i vendit të punës (25%).

Po ashtu, 22% e të anketuarve e konsiderojnë profesionin e influencer-it si një “flamur të kuq” në një marrëdhënie. Në përgjithësi, 56% e pjesëmarrësve thanë se është shumë e rëndësishme që partnerët të ndajnë vlera dhe ambicie profesionale të ngjashme, pasi kjo ndihmon në krijimin e një marrëdhënieje më të qëndrueshme dhe mbështetëse.

Po ndodh...

ide