Një protestë kundër arrogancës së Ramës dhe agonisë së Berishës

1 Qershor 2026, 15:12 / IDE NGA INDRIT GJYZELI

Një protestë kundër arrogancës së Ramës dhe

Sali Berisha foli këtë të hënë përpara gazetarëve për shumëçka,- duke nisur nga dënimi i aktit të tërheqjes zvarrë të protestuesit e deri te ligji që ai kish bërë si ish kryeministër për investitorët e huaj, siç ishte rasti i Fazlliçit, që më pas e kaloi stafetën te Edi Rama-, por ai nuk arriti të thoshte asnjë fjalë për atë çfarë u pa dje në Tiranë, në atë marshim nga Ministria e Brendshme deri te Kryeministria. Dhe nuk ka faj për këtë heshtje, pasi të jesh shënjestër të protestuesve edhe pas 13-14 vitesh në opozitë do të thotë se, jo vetëm që nuk ke arritur të ndërtosh shpresë, siç duhet të bëjë rëndom një opozitë, por edhe ke krijuar simbiozë të plotë me pushtetin. Së dyti, me ngritjen spontane të qytetarëve, Berishës dhe shumë të tjerëve pranë tij në PD, i ra alibia se qytetarët janë të mpirë, se nuk reagojnë ndaj skandaleve të qeverisë.

Jo! E vërteta e protestës që ka nisur tashmë nga qytetarë, kryesisht të rinj, tregoi se qytetarët nuk reagojnë për të larguar Ramën e për të sjellë Berishën në pushtet.

Me shumë gjasë asnjë nga akuzat që i bëhet Berishës për bashkëpunim me pushtetin mund të mos jetë e vërtetë. Por, për fat të keq, nxjerrja në pah e së vërtetës i duhet qytetarëve në një sallë gjyqi. Ndërsa kur vjen puna për opozitën qytetarëve u duhet të besojnë e jo të vërtetojnë se ajo është forca që i çon përpara, se shemb të keqen dhe sjell të renë.
Pikërisht te Besimi çalon kjo pamje dhe dihet që pa Besim nuk ka ndryshim politik, nuk ka rotacion, pasi besimi është elementi më i domosdoshëm social që qytetarët t’i bashkëngjiten një force politike.

Krejt në mënyrë paradoksale, besimin e kërkoi këtë të hënë me forcë te të tijët, e pastaj te publiku, kryeministri Rama. Ai tregoi hapur frikën ndaj fuqisë që ka një lëvizje qytetare, një lëvizje që pati thirrje në kor kundër tij dhe Berishës. Ndaj, për të mos pasur më një zbythje si në rastin e protestave për armët kimike, apo si në rastin “Rasha” që pas protestave largoi ministrin Lleshaj, apo në rastin e protestës së studentëve që largoi ministren Nikolla, ai sot reagoi duke treguar se nuk do të jetë kundër qytetarëve, pasi në këtë formë rrezikon dallimin që ka tentuar të ndërtojë nga Berisha. Dhe, kur Berisha del dhe mbron me forcën e inferioritetit këtë investim, nga frika se mos zemërohen ata që po investojnë aty, për Ramën është luks të ketë të tilla qëndrime, edhe pse s’ka asnjë garanci se këto protesta do ndalen.

Shumëkush mund t’i vërë emra të ndryshëm protestës së të hënës dhe të martës. Mund të thonë shumë zëra se janë të shtyra nga “X” apo “Y”. Madje qeveria, në aleancë me opozitën, tashmë të sulmuar të dy njëlloj në protestë, mund të gjejnë armiq të përbashkët në Athinë apo Beograd për t’ia bashkangjitur kësaj lëvizjeje që po i vë të dy forcat politike në shënjestër. Megjithatë, ajo që ndodhi dje tregoi se nuk ka të bëjë aspak me Zvërnecin, ndaj dhe shpjegimet patriotike të Ramës dhe ato të Berishës për kohën si ish kryeministër, nuk bëjnë as një efekt. Ajo e djeshmja dhe e sotmja e paralajmëruar, është qartazi kundër arrogancës së mazhorancës dhe agonisë së opozitës, ndaj dhe shpjegimet janë të kota. Rama dhe Berisha, si njohës të pushtetit, e dinë se çdo të thotë të goditesh me gurë poshtë zyrës.

I vetmi shans i Ramës mbetet se ai është i sulmuar po aq sa Berisha nga protestuesit, ndaj dhe mbetet pak më i qetë, sepse sa herë që qytetarët mendojnë se të dy palët janë njëlloj, përfiton ai që është “në kalin e pushtetit”.
Ata demokratë që do donin të ishin bashkë me protestuesit në shesh do duhet të shohin veten në sy, se si arritën që të jenë sot në këtë ditë po aq të padëshiruar sa edhe ata që janë në pushtet. Demokratët duhet të pyesin se si protestuesit barazojnë një qeveri të babëzitur nga vjedhjet dhe shkelja e ligjit me liderin e tyre. Fundja, do duhet të vuajnë atë besim që i dhanë kur vetë Berisha ndërtoi për çdo kundërshtar politik brenda PD-së fjalën “i shitur”, ndërkohë që tashmë e ka vetë në kurrizin e tij politik.

Po ndodh...