Monopoli i pushtetit dhe opozitës: Loja e rrezikshme e 9 Nëntorit!

2025-10-08 14:19:53 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Monopoli i pushtetit dhe opozitës: Loja e rrezikshme e 9 Nëntorit!

Strategjia Rama–Berisha për varrosjen e partive të reja më 9 nëntor, duket se po finalizohet me sukses.

Më 9 nëntor pritet “vdekja” politike e partive të reja të djathta dhe opozitare në vend.
Shumëkush mbeti i habitur nga vendimi i Sali Berishës, për të marrë pjesë në një proces krejtësisht antikushtetues. Argumenti i tij për “mosbojkotim” bie poshtë që në momentin e përzgjedhjes së kandidatit, i cili nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe as me betejën e saj politike. Në fakt, këto zgjedhje Berisha po i përdor për të penguar dhe asgjësuar çdo nismë të re politike, duke e futur në një proces-farsë, ku në fund imponon kandidatin e tij, tashmë haptazi të besuarin e Familjes.

Të pafuqishëm për të garuar dhe të bllokuar nga frika se mos mbeteshin jashtë loje, shumë prej nismave të reja iu dorëzuan kurthit të Berishës, duke pranuar idenë e një kandidati “të pavarur”. Në realitet, kjo është pjesë e strategjisë, Rama–Berisha, për të eliminuar çdo kërcënim ndaj pushtetit: Njëri mban monopolin e qeverisjes, tjetri monopolin e opozitës.

Berisha e di se nuk ka asnjë shans për të fituar– madje as nuk e synon. Çdo përfaqësues i tij e ka pranuar se futen në garë për të humbur. Përmes kësaj loje ai shpërndan përgjegjësinë tek Lapaj, Shabani e Agron Shehaj, duke u justifikuar se, “edhe me kandidatë jashtë politikës”, opozita humbet.

Ndërkohë, struktura e PD-së nuk ka arsye të mobilizohet për një kandidat që nuk futet për të fituar, por vetëm për të eliminuar alternativat e tjera. Lapaj është tërhequr, duke dhënë vetëm një deklaratë televizive. Shabani dhe Shehaj, po ashtu, do të mjaftohen me ndonjë deklaratë mbështetjeje nëpër studio.

Rezultati praktik: Një fasadë e përbashkët ku të gjitha partitë opozitare do të thonë “ia hodhëm”, por në të vërtetë do të legjitimojnë farsën antikushtetuese të Edi Ramës. Rama, nga ana tjetër, do të ketë një kryetar bashkie kukull, vetëm me emër, ndërsa pushtetin real do ta mbajë vetë. Ndërsa Berisha do të ruajë monopolin e opozitës, duke pretenduar se faji për humbjen nuk është i tij.

Në fund, më 9 nëntor, pikërisht në përvjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, Shqipëria do të ketë një “parti të vetme” me dy fraksione dhe dy bashkëkryetarë– njërin në pushtet, tjetrin në opozitë – të cilët së bashku do të vazhdojnë që të kontrollojnë lojën e tyre politike, edhe ose ajo tashmë është e dalë boje.

Happening now...