“Grupet kriminale po shfrytëzojnë inteligjencën artificiale”, BIRN për raportin e Europl: Krimi kibernetik po bëhet më i sofistikuar!

Një raport i ri i Europol paralajmëron se krimi kibernetik në Europë po bëhet më i shpejtë, më i sofistikuar dhe më i vështirë për t’u hetuar, ndërsa grupet kriminale po shfrytëzojnë inteligjencën artificiale, kriptomonedhat dhe teknologjitë e enkriptimit për të zgjeruar aktivitetet e tyre.
“Kriminelët kibernetikë po shfrytëzojnë me shpejtësi teknologjitë e avancuara, veçanërisht mjetet e inteligjencës artificiale, për të rritur shpejtësinë, efikasitetin dhe shtrirjen e aktiviteteve të tyre të paligjshme,” shprehet Catherine De Bolle, drejtoreshë ekzekutive e Europol-it.
“Këto mjete jo vetëm që mundësojnë automatizimin e proceseve kriminale, por edhe e zbehin kufirin midis përdorimeve legjitime dhe atyre keqdashëse të teknologjisë,” shtoi ajo.
Raporti, i titulluar “Si po zgjerojnë krimin kibernetik enkriptimi, proxy-t dhe inteligjenca artificiale”, thekson ritmin në rritje dhe sofistikimin e kërcënimeve kibernetike, duke vënë në dukje nevojën për kapacitete më të avancuara të zbatimit të ligjit dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Europol thekson se hetimi dhe procedimi penal i krimit kibernetik përbën një sfidë serioze për agjencitë ligjzbatuese, për shkak të përdorimit të enkriptimit fundor nga grupet kriminale dhe barrierave komplekse teknike dhe juridiksionale, të cilat krijojnë vështirësi në identifikimin e të dyshuarve dhe mbledhjen e provave.
Kriptomonedhat mbeten metoda e preferuar e pagesës për kriminelët kibernetikë, veçanërisht në sulmet me ransomware. Europol thekson se përdorimi në rritje i monedhave me nivel të lartë anonimiteti dhe shërbimeve të përzierjes (mixing) e vështirëson edhe më tej aftësinë e agjencive ligjzbatuese për të gjurmuar flukset financiare të paligjshme.
Agjencia ligjzbatuese europiane nënvizon se skemat mashtruese online përbëjnë një kërcënim në rritje, përmes të cilave grupet e krimit të organizuar shënjestrojnë individë ose kompani nëpërmjet skemave të investimeve, komprometimit të email-it të bizneseve dhe sistemeve online të pagesave. Europol thekson se skemat mashtruese të investimeve përmes kriptomonedhave, të cilat janë shtrirë gjatë dekadës së fundit nëpërmjet qendrave të thirrjeve telefonike edhe në Shqipëri, janë në mënyrë të veçantë shqetësuese.
Sipas Europol, këto lloj skemash organizohen nga organizata kriminale transnacionale, duke përdorur një sërë operacionesh logjistike, teknike dhe financiare për të kryer mashtrime në shkallë të gjerë. Raporti thekson se teknikat e përdorura nga këto grupe kriminale janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara, si rrjedhojë e përdorimit të inteligjencës artificiale dhe modelit të “krimit si shërbim”.
Sulmet ransomware vazhdojnë të mbeten një kërcënim serioz. Sipas Europol, mbi 120 “marka” aktive janë identifikuar gjatë vitit 2025. Kufiri mes aktorëve që kryejnë këto sulme për përfitim financiar dhe kërcënimeve hibride është bërë gjithnjë e më i paqartë. Aktorët e kërcënimeve hibride po përdorin gjithnjë e më shumë rrjetet kriminale si ndërmjetës për operacione destabilizuese, përfshirë sulme DDoS, ndërhyrje dhe sulme ransomware.
Po ashtu, po shtohen vazhdimisht taktikat e zhvatjes që synojnë të ushtrojnë presion psikologjik mbi viktimat, përfshirë nxjerrjen e të dhënave, sulmet DDoS dhe telefonatat kërcënuese.
Decentralizimi i “dark web”
Raporti i Europol thekson se qëndrueshmëria e tregjeve digjitale kriminale në të ashtuquajturin “dark web” luan një rol të rëndësishëm në mundësimin e krimit kibernetik.
Dark web është një pjesë e fshehur e internetit që nuk indeksohet nga motorët e kërkimit dhe aksesohet vetëm përmes programeve të posaçme si Tor, të cilat garantojnë anonimatin e përdoruesve.
Prej dekadash, në këtë ekosistem digjital funksionojnë tregje ku ofrohen shërbime të ndryshme kriminale ose mallra të paligjshme. Archetyp Market, për shembull, funksiononte që nga viti 2020 si një treg në “dark web” për shitjen e drogës, duke regjistruar më shumë se 600 mijë përdorues dhe një volum transaksionesh mbi 250 milionë euro.
Gjatë vitit 2025, këto lloj tregjesh kanë treguar shenja tkurrjeje, duke u zëvendësuar nga faqe më të specializuara. Gjithashtu, kohëzgjatja e këtyre platformave kriminale është shkurtuar, pasi administratorët janë bërë më të kujdesshëm ndaj rrezikut të ndërhyrjes nga organet ligjzbatuese.
Fokusi i tregjeve më të vogla është ndërmjetësimi i formave të ndryshme të mashtrimit në internet dhe shërbime si “malware”. Duke qenë se këto tregje përbëhen nga komunitete më të vogla, ato kanë siguri operacionale më të lartë, pasi administratorët kufizojnë ose kontrollojnë anëtarësinë.
Megjithatë, këto platforma përballen gjithashtu me probleme qëndrueshmërie, duke u bërë shpesh burim mashtrimesh ndaj vetë anëtarëve të tyre, përmes mbylljeve të papritura që mbeten të zakonshme.
Raporti evidenton një rritje alarmante të shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet, përfshirë zhvatjen seksuale dhe tregtinë e materialeve abuzive. Një sfidë e re është prodhimi i materialeve sintetike përmes inteligjencës artificiale, që komplikon identifikimin e viktimave dhe hetimet. Europol thekson se aplikacionet me enkriptim të plotë janë kthyer në kanale kryesore komunikimi për këto rrjete, duke krijuar “zona të errëta” për hetuesit.
“Epidemia aktuale e mashtrimeve online, kërcënimi i paraqitur nga ransomware që ndërthuret me kërcënimet hibride, si dhe monetizimi i materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve nënvizojnë nevojën urgjente për përpjekje më proaktive dhe bashkëpunuese,” shkruan Catherine De Bolle.
“Ritmi në përshpejtim i krimit kibernetik paraqet kërcënime gjithnjë e më të sofistikuara për shoqërinë, me pasoja të dëmshme si në hapësirën online ashtu edhe jashtë saj,” përfundoi ajo./BIRN
Po ndodh...
Berisha dhe vogëlsia e një kryetari, përballë modelit Abdixhiku
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
