Edukimi digjital, si t’i ndihmojmë studentët të mendojnë kritikisht në epokën e rrjeteve sociale

23 Mars 2026, 20:47 / EKONOMI&SOCIALE MIRELA ÇëRRAGA KARABINA

Edukimi digjital, si t’i ndihmojmë studentët të

Rrjetet sociale nuk janë më thjesht mjete komunikimi. Ato janë kthyer në burimin kryesor të informacionit për të rinjtë dhe, në shumë raste, në “filtrin” përmes të cilit ata e kuptojnë botën. Instagram, Facebook apo TikTok nuk ndikojnë vetëm çfarë shohim, por edhe si mendojmë, si gjykojmë dhe si marrim vendime.

Pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe: si mund të zhvillohet mendimi kritik në një realitet ku informacioni është i shpejtë, i fragmentuar dhe shpesh i pakontrolluar?

Është e gabuar të mendojmë se të rinjtë sot janë të painformuar. Përkundrazi, ata janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj informacionit. Por problemi nuk është mungesa e informacionit, është cilësia e tij dhe mënyra si përpunohet. Të rinjtë nuk lexojnë më gazetat si dikur, por kjo nuk do të thotë se nuk dinë çfarë po ndodh. Ata thjesht e marrin informacionin ndryshe, përmes rrjeteve sociale.

Ky realitet kërkon një ndryshim të qasjes nga sistemi arsimor. Nuk mjafton të japim informacion; duhet të mësojmë si të mendohet mbi informacionin.

Edukimi digjital nuk duhet parë si një shtesë në kurrikulë, por si një domosdoshmëri. Studentët duhet të mësojnë si të verifikojnë burimet, si të dallojnë lajmet e rreme, si të kuptojnë mënyrën se si funksionojnë algoritmet dhe pse shohin pikërisht atë përmbajtje që u shfaqet në ekran.

Sepse algoritmet nuk janë neutrale. Ato favorizojnë përmbajtjen që tërheq më shumë vëmendje, dhe shpesh kjo përmbajtje nuk është më e sakta, por më sensacionalja. Lajmet e rreme përhapen më shpejt, emocionet mbizotërojnë mbi faktet dhe krijohen “flluska informacioni” ku secili sheh vetëm atë që përforcon bindjet e veta.

Në këtë mjedis, mendimi kritik bëhet aftësia më e rëndësishme që një student mund të zhvillojë.

Universitetet kanë një rol kyç. Ato duhet të kalojnë nga një model që transmeton dije, në një model që formon mënyrën e të menduarit. Kjo do të thotë më shumë debat, më shumë analizë rastesh reale, më shumë diskutim mbi informacionin që studentët konsumojnë çdo ditë online.

Në vend që rrjetet sociale të shihen si kërcënim, ato mund të shfrytëzohen si mjet pedagogjik. Një postim viral, një lajm i diskutueshëm apo një video në TikTok mund të kthehen në pikënisje për analizë kritike në auditor.

Sepse e vërteta është e thjeshtë: të rinjtë tashmë jetojnë në një botë digjitale. Pyetja nuk është nëse duhet t’i mbrojmë prej saj, por si t’i përgatisim që të lundrojnë në të me mendje kritike.

Nëse nuk e bëjmë këtë, rrezikojmë të kemi një brez të informuar, por jo domosdoshmërisht të vetëdijshëm. Dhe në një shoqëri që është në përpjekje të rrugës për demokraci, kjo është një kosto që nuk mund ta përballojmë.

Po ndodh...