Çfarë orfojnë partitë e reja?

10 Tetor 2024, 22:52 / EDITORIAL NGA ALBI XHUNGA

Çfarë orfojnë partitë e reja?

Kthetrat e korrupsionit janë ngulur thellë në trupin e dobësuar të Shqipërisë. Niveli i kapjes është i tillë që ka paralizuar çdo qelizë të shoqërisë. Balancë pushtetesh nuk ka. Mediat janë kapur. Shoqëria civile është bërë për rahmet. Korrupsioni vijon punën. Shpopullimi vazhdon, se njerëzit nuk shohin shpresë. Shqiptarët ikin, por të korruptuarit vazhdojnë të rrinë aty, stoikë.

Ata nuk ikin, sepse nuk kanë ku të shkojnë. Nuk ka të ardhme për ta dhe ata e dinë. E vetmja shpresë e tyre është të mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve. Ruajtja e eskluzivitetit të politikëbërjes në Shqipëri i bën të shpresojnë në ndryshimin e konjukturav ndërkombëtare, për ta kthyer Shqipërinë në shkërdhatokracinë e tre dekadave të shkuara. As SPAK e as amerikanët nuk mund t’i shkulin që aty. Sado të korruptuar të arrestojë SPAK, do të ketë të tjerë që do të marrin stafetën. Zgjidhja është një e vetme. Vota popullore!

Realiteti politik na thotë se ata janë pakicë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve përkrahin SPAK dhe duan hapje të sistemit. Ata janë kundër SPAK dhe votuan mbylljen e listave. Parlamenti i Shqipërisë, i cili teorikisht përfaqëson 100 përqind të shqiptarëve, voton kundër dëshirës së shumicës dërrmuese të popullit. Kjo është prova e qartë se sistemi politik është marrë peng. Vendimmarrja politike i shërben pakicës në dëm të shumicës. Zgjidhja është një e vetme. Kjo shumicë popullore duhet konkretizuar në një shumicë politike që të marrë në dorë fatet e vendit.

Krijimi i një poli të tretë politik që bashkon të gjitha forcat pro SPAK dhe pro hapjes së sistemit është një nevojë ulëritëse e kohës. Bashkimi i të gjitha flukseve politike anti sistem garanton shporrjen e të korruptuarve me votë. Nuk do të ketë një mesi nga qielli që do të vijë të na shpëtojë. Zgjidhja duhet gjetur mes faktorëve aktualë politikë, pa kërkuar qimen e bardhë në kos.

Ka ardhur koha që t’u vëmë gjërave emrin që kanë. Ato forca të reja apo ekzistuese që formalisht janë pro SPAK dhe pro hapjes së sistemit, por që rrefuzojnë të rreshtohen në një front të përbashkët anti-korrupsion, janë thjesht një dekor i sistemit në shërbim të propagandës së një demokracie funksionale. Nëse këtë e bëjnë sepse janë të paguara, apo e bëjnë nga budallallëku politik, kjo ka fare pak rëndësi. Rëndësi ka rezultati. Nëse vota e popullit opozitar që përkrah drejtësinë e re përçahet, ky është shërbimi më i vyer që mund t’i bëhet binomit Ramë-Berishë. E bëjnë sepse janë blerë, apo e bëjnë sepse janë debilë të dobishëm, kjo është çështje dytësore. Ka ardhur koha që të gjitha forcat politike të pozicionohen. Do të luftojnë për të rrëzuar sistemin e kalbur Rama-Berisha? Apo duan një vend pune në parlament për t’u paguar si dekor i tij? Koha është tani!

 

 

Po ndodh...