Debate dhe akuza në GJKKO, shtyhet seanca në themel për Metën dhe Kryemadhin

24 June 2026, 16:27 / POLITIKË ALFA PRESS
Debate dhe akuza në GJKKO, shtyhet seanca në themel për

Shtyhet seanca në Themel për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi.

 

Ndërkohë mësohet se e radhës do të mbahet më 9 korrik, ora 10:00.

Seanca e sotme u zhvillua me debate të ashpra mes dy ish-bashkëshortëve të cilët shkëmbyen akuza të ndërsjella mes tyre.

Meta tha se nuk ka dijeni për veprimet e Kryemadhit, duke shtuar se ajo e di vetë historinë e mesazheve të dorëzuara si prova nga prokuroria.

Kryemadhi është kundërpërgjigjur duke i thënë se nuk duhet të flasë bazë thashethemesh e llafesh grash, apo fjalët që i sjell, sipas saj Altin Dumani.

Akuzat

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë nën hetim nga SPAK dhe po përballen me akuza të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Procesi gjyqësor ka të bëjë kryesisht me çështjen e njohur si CEZ-DIA, një marrëveshje e diskutueshme mes kompanisë çeke CEZ dhe kompanisë DIA për mbledhjen e borxheve të energjisë elektrike.

Sipas dosjes së SPAK, Ilir Meta dyshohet se ka pasur rol në favorizimin e marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria pretendon se ka prova që e lidhin atë me korrupsionin, përfshirë komunikime dhe dokumente të siguruara gjatë hetimit.

Meta i ka cilësuar këto akuza si të motivuara politikisht dhe ka deklaruar se procesi është i montuar për ta dëmtuar politikisht.

Monika Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, duke përdorur transaksione financiare të dyshimta për të fshehur origjinën e fondeve të paligjshme.

SPAK ka hetuar llogaritë bankare dhe pasuritë e saj, duke ngritur dyshime për përfitime të pashpjeguara. Kryemadhi ka mohuar çdo akuzë, duke thënë se bëhet fjalë për një sulm politik ndaj saj dhe familjes.

 

Po ndodh...