Starmer shkarkon kreun diplomatik pas emërimit të Mandelson pa verifikim sigurie

17 Prill 2026, 11:10 / BOTA ALFA PRESS

Starmer shkarkon kreun diplomatik pas emërimit të Mandelson pa

Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me presion të fortë politik pas zhvillimeve të fundit që lidhen me emërimin e Peter Mandelson si ambasador në SHBA.

Kriza u thellua pasi dolën në dritë lidhjet e Mandelson me Jeffrey Epstein, ndërsa më pas u zbulua se ai nuk kishte kaluar verifikimin e sigurisë përpara se të merrte detyrën.

Në këtë situatë, Starmer vendosi të shkarkojë Ollie Robbins, zyrtarin më të lartë civil të Ministrisë së Jashtme, i cili drejtonte shërbimin diplomatik. Vendimi erdhi pasi zyra e tij nuk kishte informuar kryeministrin për problemet me verifikimin e sigurisë.

Sipas raportimeve të BBC, Starmer dhe ministrja e Brendshme Yvette Cooper kishin humbur besimin tek Robbins.

Mandelson ishte emëruar ambasador në dhjetor 2024 dhe kishte nisur detyrën në shkurt 2025, por u largua vetëm shtatë muaj më vonë, pasi çështja u bë publike.

Reagimet politike kanë qenë të forta. Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch ka kërkuar dorëheqjen e Starmer, ndërsa lideri i Liberal Demokratëve Ed Davey ka ngritur pikëpyetje nëse kryeministri ka dhënë informacion të plotë në Parlament.

Nga ana tjetër, ministri Darren Jones ka bërë të ditur se Starmer nuk po mendon të largohet nga detyra.

Kritika ka pasur edhe nga radhët konservatore, ku ish-ministri i Jashtëm James Cleverly e ka cilësuar shkarkimin e Robbins si një përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë.

Ndërkohë, policia britanike ka nisur hetime ndaj Mandelson, pasi dokumente të publikuara nga autoritetet amerikane sugjerojnë se ai mund të ketë ndarë informacione qeveritare me Epstein në të kaluarën.

Qeveria britanike pritet të publikojë dokumente të tjera lidhur me këtë çështje, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar dhe presioni politik mbi Starmer mbetet i lartë.

Po ndodh...