“Publiku ka humbur besimin!”/ Thellohet kriza për Keir Starmer, arrin në katër numri i dorëheqjeve nga kabineti! Ministrat i kërkojnë largimin dhe zgjedhje brenda partisë

12 Maj 2026, 18:51 / BOTA ALFA PRESS

“Publiku ka humbur besimin!”/ Thellohet kriza për Keir Starmer,

Kriza politike në qeverinë britanike është thelluar ndjeshëm, pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, po përballet me një valë dorëheqjesh nga kabineti i tij dhe presion në rritje për t’u larguar nga drejtimi i qeverisë.

Ministri i Shëndetësisë, Zubir Ahmed, u bë zyrtari më i fundit që dha dorëheqjen, duke deklaruar se publiku britanik “e ka humbur në mënyrë të pakthyeshme besimin te Starmer si kryeministër”.

Në letrën e tij të publikuar në platformën X, Ahmed kritikoi ashpër lidershipin e kreut të qeverisë, duke theksuar se arritjet e qeverisë po “zbehen dhe minohen nga mungesa e një drejtimi të udhëhequr nga vlerat”.

Dorëheqja e tij vjen vetëm pak orë pas largimit të tre ministreve të tjera të qeverisë britanike. E para që njoftoi dorëheqjen ishte ministrja për Komunitetet, Miatta Fahnbulleh, e cila në letrën drejtuar Starmer shkroi se vendi kërkon ndryshim, por “publiku nuk beson se ju mund ta udhëhiqni këtë ndryshim dhe as unë”.

Më pas, edhe Jess Phillips dha dorëheqjen nga posti i ministres për Mbrojtjen dhe Sigurinë Sociale, duke deklaruar se “veprimet, jo fjalët, kanë rëndësi”.

Pak më vonë, largimin e njoftoi edhe Alex Davies-Jones, e cila i kërkoi kryeministrit britanik të “veprojë në interes të vendit dhe të përcaktojë një afat kohor për largimin”.

Sipas mediave britanike, mbi 80 deputetë të Partisë Laburiste i kanë kërkuar tashmë Starmer të largohet menjëherë ose të shpallë një kalendar për dorëheqjen e tij.

Megjithatë, më shumë se 100 deputetë raportohet se kanë firmosur një deklaratë në mbështetje të kryeministrit, duke argumentuar se “ky nuk është momenti për një garë për lidershipin”.

Nga ana e tij, Starmer deklaroi gjatë një mbledhjeje të kabinetit se do të “vazhdojë të qeverisë” dhe këmbënguli se nuk është hapur asnjë garë për drejtimin e Partisë Laburiste.

Po ndodh...

ide