Opozita iraniane shpall Qeverinë e Përkohshme nga Durrësi: Tirania vdiq me vdekjen e Khameneit! Populli ynë do shtet laik e të lirë dhe një republikë demokratike

2 Mars 2026, 16:28 / POLITIKË ALFA PRESS

Opozita iraniane shpall Qeverinë e Përkohshme nga Durrësi:

Maryam Rajavi, presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, ka reaguar nga Durrësi për luftën që ka nisur në Iran dhe vdekjen e liderit të republikës ismalike Ali Khamenei, duke përshëndetur ndërhyrjen ndërkombëtare.

Nga kampi "Arshraf 3 " në fshatin Manëz, ajo ka shpallur Periudhën Tranzitore për t’i dorëzuar sovranitetin popullit të Iranit, duke theksuar se vdekja e Khameneit është vdekja e tiranisë fetare dhe fundi i regjimit të Velayat-e Faqih.

"Tani është koha për të vendosur lirinë dhe sovranitetin e popullit të Iranit", është shprehur ajo.

"Siç demonstroi populli iranian gjatë kryengritjes së janarit, ata kërkojnë një të ardhme të bazuar në një republikë demokratike dhe refuzojnë si mullat tiranikë ashtu edhe Shahun diktatorial. Unë i shpall komunitetit ndërkombëtar se vetëm populli i Iranit ka legjitimitetin për të përcaktuar të ardhmen politike të vendit të tyre."

Presidentja Maryam Rajavi shprehet se populli iranian e ka shkruar fatin e tij me gjakun e djemve dhe vajzave të tyre trime. Sipas saj, iranianët kanë nevojë për një shtet të vetin, jo para apo ndërhyrje të huaj në tokën iraniane.

Në emër të Rezistencës së popullit iranian, ajo ka shpallur:

"Bazuar në Planin me Dhjetë Pika për transferimin e sovranitetit tek populli i Iranit, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) ka shpallur formimin e një qeverieje të përkohshme. Pararendësi i shpalljes së një qeverieje të përkohshme daton në tetor 1981."

Maryam Rajavi është shprehur se tani është koha për solidaritet dhe unitet kundër atyre që ajop i quan mbetje të diktaturës fetare dhe fashizmit monarkik që kërkojnë të vjedhin revolucionin demokratik dhe produktin e 47 viteve vuajtje e sakrifica nga populli iranian.

Komunikata thekson se NCRI, koalicioni më i qëndrueshëm demokratik dhe i pavarur në historinë e Iranit, duke u mbështetur në një Rezistencë me 100,000 dëshmorë për lirinë, paraqiti planin e Frontit të Solidaritetit Kombëtar 24 vjet më parë bazuar në parime të forta, nacionaliste dhe patriotike.

"Ky plan u bën thirrje të gjitha forcave politike brenda frontit të popullit, që janë të përkushtuara për rrëzimin e despotizmit fetar dhe vendosjen e një republike demokratike bazuar në ndarjen e fesë nga shteti, të veprojnë në solidaritet dhe unitet në këtë moment të ndjeshëm, pavarësisht dallimeve të tyre."

Drejtuesja e grupit kryesor opozitar itanian u bën thirrje personelit patriotik të ushtrisë të qëndrojnë krahas popullit të Iranit, Gardës Revolucionare dhe të gjitha forcat e tjera, se që ruajnë regjimin duhet të heqin armët dhe të dorëzohen tek populli.

"Derisa të krijohet qeveria e përkohshme, studentët, punëtorët, punëtorët e naftës, fermerët, sipërmarrësit e rinj, infermierët dhe mësuesit, gratë dhe burrat njësoj, së bashku me ushtarët dhe oficerët brenda Ushtrisë Kombëtare Çlirimtare, janë ruajtësit e sigurisë publike, shëndetit dhe sigurisë, dhe përgjegjës për adresimin e nevojave të popullit dhe zgjidhjen e problemeve të tyre."

Në mesazhin e Maryam Rajavit theksohet se bazuar në rezolutat e NCRI, sapo të krijohet qeveria e përkohshme në territorin iranian, ajo është e detyruar të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda gjashtë muajve për një Asamble Kombëtare Legjislative dhe Kushtetuese.

Detyrat e kësaj Asambleje janë të hartojë kushtetutën, të përcaktojë sistemin e ri republikan të vendit, të legjiferojë për administrimin e çështjeve aktuale derisa të formohet Asambleja e parë Kombëtare sipas kushtetutës së re, dhe të caktojë një qeveri që, pas dorëheqjes së qeverisë së përkohshme gjashtëmujore, do të marrë përgjegjësinë për çështjet e vendit nën mbikëqyrjen e Asamblesë Kushtetuese.

"Unë theksoj përsëri se NCRI dhe Qeveria e Përkohshme nuk kërkojnë pushtet, por transferimin e pushtetit tek sovraniteti i popullit iranian. Lavdi popullit të Iranit. Fitorja i takon revolucionit demokratik të Iranit. Rroftë republika demokratike", përmbyllet mesazhi.

Po ndodh...

ide