Netanyahu: Një marrëveshje me Sirinë për një zonë të çmilitarizuar netruale, është e mundur

2 Dhjetor 2025, 17:39 / BOTA ALFA PRESS

Netanyahu: Një marrëveshje me Sirinë për një zonë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi sot se një marrëveshje me Sirinë është e mundur dhe se pret që autoritetet siriane të krijojnë një zonë të çmilitarizuar dhe neutrale, nga Damasku deri në malin Hermon dhe në zona të tjera përreth.

Deklarata e tij erdhi një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump, administrata e të cilit po punon për një marrëveshje mos-sulmi mes dy vendeve, theksoi rëndësinë që Izraeli të ruajë një “dialog të fortë dhe real” me Damaskun.

Siria, e cila nuk e njeh zyrtarisht Izraelin, ka humbur më shumë territore ndaj tij që nga dhjetori 2024. Izraeli mori nën kontroll Lartësitë Golan gjatë luftës së vitit 1967 dhe më pas i aneksoi, një vendim i njohur nga SHBA, por jo nga pjesa më e madhe e shteteve të tjera.

“Ajo që presim nga Siria është krijimi i një zone neutrale dhe të çmilitarizuar nga Damasku deri në kufirin neutral, përfshirë aksin drejt malit Hermon dhe majën Hermon,” tha Netanjahu gjatë një vizite tek ushtarët e plagosur në qendër të Izraelit.

“Sot i mbajmë këto zona për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Izraelit, dhe ky është detyrimi ynë,” shtoi ai.

Netanjahu u shpreh se me “vullnet të mirë dhe kuptim të këtyre parimeve” një marrëveshje me Sirinë është e realizueshme, por Izraeli, sipas tij, “nuk do të heqë dorë nga parimet e veta në asnjë rrethanë.”

Presidenti Trump mbështet liderin e ri sirian, Ahmed al-Sarra, ndërsa Izraeli ka shprehur dyshime për marrëdhëniet e së kaluarës së Sarra me ekstremizmin islamik. Megjithatë, Tel Avivi thotë se mbetet i përkushtuar ndaj përpjekjeve diplomatike.

Ndërkohë, mediat shtetërore siriane raportuan se 13 sirianë u vranë të premten në një sulm ajror izraelit në Sirinë jugore. Ushtria izraelite deklaroi se kishte shënjestruar një grup militantësh të një organizate islamiste me bazë në Liban. Sot, Netanjahu vizitoi ushtarët izraelitë të plagosur gjatë përplasjes.

 

Po ndodh...