Bashkëthemeluesi i Anthropic: AI mund të zëvendësojë punën njerëzore në shkallë masive

25 Maj 2026, 23:59 / BOTA ALFA PRESS

Bashkëthemeluesi i Anthropic: AI mund të zëvendësojë

Një nga bashkëthemeluesit e kompanisë amerikane së inteligjencës artificiale Anthropic, Chris Olah, ka paralajmëruar se ekziston një “mundësi reale” që AI të zëvendësojë punën njerëzore në shkallë shumë të gjerë, duke kërkuar mbikëqyrje më të fortë nga qeveritë, liderët fetarë dhe shoqëria civile.

Duke folur të hënën në Vatikan gjatë prezantimit të enciklikës së parë të Papa Leonit XIV mbi inteligjencën artificiale, Olah argumentoi se zhvillimi i AI nuk mund të lihet vetëm në dorën e kompanive teknologjike.

“Ekziston një mundësi reale që inteligjenca artificiale të zëvendësojë punën njerëzore në shkallë shumë të madhe”, tha ai.

“Nëse kjo ndodh, mbështetja për ata që do të zhvendosen nga tregu i punës do të jetë një detyrim moral me përmasa historike”, shtoi Olah, i cili ishte ulur përkrah Papa Leonit XIV gjatë aktivitetit.

Sipas tij, kompanitë që zhvillojnë modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale operojnë nën presione të forta tregtare, gjeopolitike dhe personale, të cilat jo gjithmonë përputhen me interesin më të gjerë të shoqërisë.

“Çdo laborator kryesor i inteligjencës artificiale operon brenda një sistemi stimujsh dhe kufizimesh që ndonjëherë mund të bien ndesh me të bërit gjënë e duhur”, deklaroi Olah, duke theksuar se edhe studiuesit me qëllime të mira ndikohen nga këto dinamika.

Pikërisht për këtë arsye, ai argumentoi se nevojitet një mbikëqyrje e jashtme më e madhe mbi zhvillimin e AI, duke përfshirë qeveritë, organizatat e shoqërisë civile dhe autoritetet morale.

Po ndodh...

ide