2022-2026/ Lufta Ukrainë–Rusi, mbi 2 milionë viktima

28 Janar 2026, 18:40 / BOTA BILANC I RëNDë

2022-2026/ Lufta Ukrainë–Rusi, mbi 2 milionë viktima

Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ka shkaktuar deri tani gati 2 milionë viktima ushtarake, përfshirë të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur, sipas një studimi të publikuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), cituar nga The Guardian.

Sipas studimit, forcat ruse kanë pësuar humbjet më të mëdha, me rreth 325 mijë të vrarë, nga një total prej rreth 1.2 milionë viktimash ruse që nga nisja e luftës në vitin 2022. Në total, viktimat e kombinuara ruse dhe ukrainase mund të arrijnë deri në 1.8 milionë, ndërsa parashikohet që shifra të shkojë në 2 milionë deri në pranverën e vitit 2026.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi për NBC se Ukraina ka humbur rreth 46 mijë ushtarë që nga viti 2022, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur ose të kapur rob. Ndërkohë, humbjet ruse vazhdojnë të mbahen sekret shtetëror nga Moska.

BBC ruse dhe media e pavarur Mediazona, të cilat bazohen në burime të hapura, kanë identifikuar mbi 163 mijë ushtarë rusë të vrarë, por theksojnë se numri real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Ndërkohë, The Guardian raporton se një sulm me dron rus ndaj një treni pasagjerësh në verilindje të Ukrainës ka shkaktuar pesë viktima. Sulmi ndodhi pranë një fshati në rajonin e Kharkivit, ndërsa autoritetet ukrainase e cilësuan aktin si terrorizëm.

Zelenskyy njoftoi në Telegram se treni transportonte më shumë se 200 pasagjerë, duke shtuar se sulme të tilla minojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

“Çdo sulm i tillë rus dëmton diplomacinë dhe përpjekjet e partnerëve tanë për të ndalur këtë luftë,” shkroi presidenti ukrainas.

Bombardimi i trenit ishte pjesë e një vale sulmesh ruse me dronë dhe raketa në disa qytete të Ukrainës, që lanë gjithsej 10 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Në Odesa, tre persona humbën jetën dhe 32 të tjerë u plagosën nga një sulm me dron, i cili shkaktoi edhe dëme të mëdha materiale.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, i ka kërkuar Elon Musk që të ndërpresë aksesin e Rusisë në shërbimin satelitor Starlink. Kërkesa vjen pasi Instituti për Studimin e Luftës në SHBA deklaroi se ushtria ruse po përdor terminale Starlink për të drejtuar sulme me dron në territorin ukrainas.

Po ndodh...

ide