“Vija e Ngjalës” në Fier, ndotje masive dhe rrezik serioz për shëndetin e banorëve

Monitorimi i kryer gjatë vitit 2025 në sistemin hidrografik Darzezë–Seman–Tërbuf–Emisar, deri në derdhjen përfundimtare në lagunë dhe në det, thekson presione të konsiderueshme mjedisore mbi cilësinë e ujërave në zonat bujqësore të Fierit dhe Divjakës.
Sipas raportit të Co-Plan, të dhënat janë mbledhur në kuadër të projektit “Rojtarët e Ujërave – Pjesëmarrja dhe Mbështetja për Mbrojtjen e Ekosistemeve”, presionet mjedisore lidhen kryesisht me drenazhin bujqësor, transportin e nutrientëve dhe në disa raste me shkarkime organike të pakontrolluara.
Sistemi përbëhet nga një rrjet i ndërlidhur kanalesh kulluese dhe segmentesh ujore që përshkojnë zona me aktivitet bujqësor intensiv, ku përdorimi i plehrave kimike dhe ndërhyrjet në menaxhimin e ujërave sipërfaqësore ndikojnë drejtpërdrejt në përbërjen kimike të ujit.
Në segmentin e Darëzezës u identifikua një mineralizim i lartë i ujit dhe në disa raste u regjistruan edhe tejkalime të ngarkesës organike, ku vlerat e COD kaluan kufirin orientues prej 50 mg/L, veçanërisht gjatë periudhës së vjeshtës. Në të njëjtën zonë u evidentuan edhe rritje të amoniakut dhe fosfateve, që lidhen me aktivitetet bujqësore përreth.
Një situatë relativisht më e qëndrueshme u regjistrua në segmentin e Hidrovorit Seman dhe Urës së Fshehtë ku përçueshmëria elektrike dhe ngarkesa organike mbeten më pranë kufijve të pranueshëm. Megjithatë, edhe në këtë pjesë u evidentuan rritje të amoniakut dhe fosfateve gjatë muajve Shtator dhe Nëntor, çka tregon ndikim të vazhdueshëm nga aktivitetet bujqësore dhe transportin e ndotësve nga rrjedha e sipërme.
Sipas raportit, pika më kritike e gjithë sistemit rezulton “Vija e Ngjalës” ku u regjistruan përqendrime shumë të larta të ngarkesës organike dhe të nutrientëve. Vlerat e larta të COD, të shoqëruara me përqendrime të rritura të amoniakut dhe nitriteve, sugjerojnë praninë e shkarkimeve të pakontrolluara me karakter organik ose fekal, të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm ndotjeje për segmentet e poshtme të sistemit.
Sipas vlerësimit të përgjithshëm të raportit, sistemi hidrografik funksionon si një kanal transporti për nutrientët dhe ndotësit që vijnë nga zonat bujqësore, duke krijuar rrezik të lartë për eutrofikim kronik dhe degradim të ekosistemeve lagunare dhe bregdetare nëse nuk merren masa për kontrollin e shkarkimeve dhe për menaxhimin e integruar të pellgut ujëmbledhës.
Raporti rekomandon ndërhyrje të menjëhershme, duke përfshirë identifikimin dhe eliminimin e shkarkimeve të patrajtuara në Vijën e Ngjalës, reduktimin e përdorimit të plehrave kimike në zonat bujqësore, vendosjen e brezave tampon me vegjetacion përgjatë kanaleve, si dhe ndërtimin e strukturave për kapjen e sedimenteve para derdhjes së ujërave në lagunë. Sipas ekspertëve, vetëm përmes një menaxhimi të integruar të pellgut ujëmbledhës dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe fermerëve mund të frenohet degradimi i mëtejshëm i këtij sistemi ujor./ekofin.al
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128