Raporti për tenderat/ Nga AKSHI, QSUT te UKT Tirana, institucionet në “listën e zezë” të abuzimeve!

27 Mars 2026, 14:31 / AKTUALITET ALFA PRESS
Raporti për tenderat/ Nga AKSHI, QSUT te UKT Tirana, institucionet në

Nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, tek AKSHI, QSUT, e me radhë tek bashkitë e ndërmarrjet shtetërore.

Këto rezultojnë të jenë institucionet më problematike me tenderat, sipas një raporti nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Ky dokument është një hartë e hapur e vendeve ku paratë tona “avullojnë” përmes tenderave që erëmojnë korrupsion, për sa kohë 52% e ankesave që shqyrtohen nga KPP-ja pranohen si të drejta.

Sipas raportit, janë mbi 1,100 ankesa të depozituara brenda një viti.

Fakti që rreth 37% e ankesave nisin që te “dokumentet e tenderit” tregon se zyrtarët tanë vazhdojnë të qepin kostume me porosi, ku kriteret vendosen aq specifike sa t’i përshtaten vetëm “klientit” të paracaktuar.

“Lista e zezë”, kush janë kampionët e ankesave?

Operatori i Blerjeve të Përqendruara.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT).

Drejtoria e Spitalit Rajonal Durrës.

Raporti i vitit 2025 nxjerr zbuluar edhe institucione të tjera që duket se e kanë kthyer shkeljen në normë, ku përfshihen edhe:

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH): Me një numër të lartë ankesash që lidhen me tenderat e fryrë të shërbimeve dhe mallrave.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe OSHEE: Energjetika mbetet një “minierë ari” ku operatorët ekonomikë përplasen fort për procedurat e prokurimit, shpesh duke denoncuar kritere përjashtuese.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH): Ndonëse me më pak procedura në numër se spitalet, vlera monetare e ankesave këtu është marramendëse, duke reflektuar dyshimet e përhershme mbi tenderat e rrugëve.

Gjobat që nuk trembin askënd

Ajo që të lë pa fjalë në këtë raport është rezistenca e institucioneve. KPP-së i është dashur të dërgojë dhjetëra kërkesa zyrtare për të detyruar institucionet të zbatojnë vendimet e saj.

Kjo do të thotë se drejtuesit e institucioneve tona nuk e kanë problem të shkelin ligjin, madje edhe kur kapen me “presh në duar”.

Referimi i vetëm 3 çështjeve në Prokurori gjatë gjithë vitit duket si një tallje me qytetarët.

Kur ke mbi 1,100 ankesa dhe qindra tendera të anuluar apo modifikuar për shkelje, si mundet që vetëm 3 raste të konsiderohen me elementë penalë?

Raporti i KPP-së për vitin 2025 konfirmon atë që gazetarët kritikë thonë prej kohësh: tenderat në Shqipëri janë një sport ku fituesi dihet para se të nisë gara.

Certifikimi me “ISO 37001” për luftën kundër ryshfetit, me të cilin mburret KPP në fund të raportit, duket si një fasadë luksoze mbi një ndërtesë që po kalbet nga brenda.

Deri kur Prokuroria të fillojë të lexojë këto raporte me të njëjtin zell si ne, paratë e taksapaguesve do të vazhdojnë të ushqejnë të njëjtën “vatër korrupsioni” që KPP-ja e dokumenton me kaq kujdes çdo vit./vna

Po ndodh...

ide