“Nuk do të luftoj me shtetin!” Pasi hoqi dorë nga Aeroporti i Vlorës, Behgjet Pacolli akuza të forta ndaj Policisë: Po i shërbejnë të keqes, specialistët nga Kina po i mbajnë të izoluar

21 Maj 2026, 12:20 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Nuk do të luftoj me shtetin!” Pasi hoqi dorë nga

Një ditë më parë miliarderi shqiptar, biznesmeni nga Kosova Behgjet Pacolli pranoi zyrtarisht se Aeroporti i Vlorës nuk është më prona e tij.

“Nuk do të luftoj me shtetin, është më i fuqishëm”, kështu deklaroi Pacolli, pavarësisht se sipas tij ka investuar në këtë aeroport 310 milionë euro nga mjetet e tij financiare, mirëpo është i “pafuqishëm” për të luftuar me shtetin.

E një ditë pas kësaj deklarate, përmes një postimi në rrjetet sociale ai reagoi ashpër ndaj Policisë së Shtetit, duke e akuzuar për tejkalim të kompetencave dhe presion ndaj punonjësve të kompanisë së tij që operon në Aeroportin e Vlorës.

Pacolli tha se prej katër ditësh, forcat e policisë po pengojnë hyrjen e inxhinierëve, specialistëve dhe punëtorëve shqiptarë e të huaj në vendet e tyre të punës, duke krijuar një situatë të tensionuar brenda ambienteve të aeroportit.

Sipas tij, mes personave të bllokuar ndodhen edhe dhjetëra specialistë kinezë, të cilët po përballen me kufizime të lëvizjes dhe mungesë të kushteve normale për jetesë e punë. 

“Këta njerëz nuk kanë as mundësinë të kujdesen për sendet dhe pajisjet e tyre personale e profesionale, të cilat ndodhen në ndërtesën e Terminalit. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe i papranueshëm, por ngre dyshime serioze për abuzim me autoritetin shtetëror dhe për përdorimin e Policisë së Shtetit jashtë misionit të saj ligjor”, shkruan Pacolli ndër të tjera.

Si po manipulohet Policia e Shtetit, e cila duket se haptazi është vënë në shërbim të së keqes?

Prej katër ditësh me radhë, Policia e Shtetit, përmes dhunës verbale, fyerjeve, kërcënimeve dhe pengesave të pajustifikuara, po ndalon aksesin e mjeshtërve, inxhinierëve dhe profesionistëve shqiptarë e ndërkombëtarë në vendet e tyre të punës.

Mes tyre ndodhen edhe mbi 50 specialistë nga Kina, të cilët aktualisht gjenden në konviktin e punëtorëve të Mabcos, brenda perimetrit të rrethuar me tela, me liri lëvizjeje të kufizuar, madje edhe për nevoja bazike si furnizimi me ushqim dhe medikamente. Ata po jetojnë të frikësuar dhe në një gjendje presioni të vazhdueshëm psikologjik.

Këta njerëz nuk kanë as mundësinë të kujdesen për sendet dhe pajisjet e tyre personale e profesionale, të cilat ndodhen në ndërtesën e Terminalit. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe i papranueshëm, por ngre dyshime serioze për abuzim me autoritetin shtetëror dhe për përdorimin e Policisë së Shtetit jashtë misionit të saj ligjor.

Policia nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si instrument presioni ndaj punëtorëve, specialistëve dhe profesionistëve që kërkojnë thjesht të ushtrojnë detyrën e tyre. Kur uniforma shtetërore vihet në shërbim të interesave të errëta, cenohet jo vetëm e drejta e individit, por edhe besimi i qytetarëve te shteti dhe drejtësia.

Kjo situatë kërkon sqarim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale dhe ndërhyrje të ligjshme për të garantuar lirinë e lëvizjes, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për punë të çdo personi të përfshirë.

Po ndodh...