Klodian Tomorri: Aeroporti i Vlorës nuk nis dot punën, për sa kohë ka sherr mes Pacollit dhe Ademit!

10 Nëntor 2025, 23:56 / AKTUALITET ALFA PRESS

Klodian Tomorri: Aeroporti i Vlorës nuk nis dot punën, për sa

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për aeroportin e Vlorës, fati i të cilit tashmë nuk dihet, për shkak të konfliktit mes aksionerëve dhe hetimeve të Prokurorisë. 

Tomorri deklaroi se aeroporti nuk mund të nisë funksionimin, edhe nëse përfundon pista dhe godinat, pasi mungon menaxhimi, ngërç që nuk mund të zgjidhet për sa kohë aksionerët Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi janë në sherr. 

"E para është ndërtimi i aeroportit dhe pastaj vënia në funksion. Aeroporti po ndërtohet, por çështja është që nuk vihet dot në punë, për shkak të sherrit mes aksionerëve. Asnjëri prej kompanive që kanë koncesionin e aeroportit të Vlorës, nuk ka ekspertizën e operimit të një aeroporti. Pacolli ka ndërtuar aeroporte, por nuk ka menaxhuar ndonjëherë aeroport. Është një gjë të ndërtosh pistat dhe godinat dhe gjë tjetër ta operosh. Prandaj kur është dhënë aeroporti me koncesion, ka qenë e parashikuar kriteri që kompania fituese duhet të kishte ekspertizën e operimit, meaxhimit, prandaj u fut turku fillimisht, kishte letrat dhe plotësonte kriterin e ekspertizës. Pastaj turku doli, por e kishin në kontratë që menaxhimin do ta ketë dikush tjetër, pasi e kanë ditur që në fillim që turku do të dilte. U përfol aeroporti i Mynih por ka raportime se është tërhqur.  

Aeroporti mund të ndërtohet, por për sa kohë ka sherr mes aksionerëve nuk fillon dot. Nuk lidhet dot kontrata me operuesin, nuk ka kompani që merr në menaxhim një aeroport kur e firmos vetëm një nga menaxherët dhe e dyta, një sërë investimesh të cilat janë të karakterit të software, nuk bëhen dot për sa kohë ka sherr mes dy aksionerëve.

Janë disa kontrata që lidhet me softet, për të cilët kërkohet dakordësia e të dyve. Ai thotë do ta përfundojmë në shkurt, pastaj fillon apo jo aeroporti, kjo nuk dihet. Nëse konflikti zgjat gjatë në proceset gjyqësore, dhe nuk gjendet gjuha e përbashkët, nëse vijojnë të kenë konflikt dhe procesi zgjat me vite, aeroporti rrezikon të mos hapet asnjëherë", deklaroi Tomorri. 

 

Po ndodh...

ide