Furnizonin tregun italian me drogë, arrestohen dy shqiptarët

6 Prill 2026, 22:52 / AKTUALITET ALFA PRESS

Furnizonin tregun italian me drogë, arrestohen dy shqiptarët

Dy shtetas shqiptarë, të moshave 34 dhe 63 vjeç, janë arrestuar nga policia në Itali, pasi dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së drogës që furnizonte tregun lokal.

Sipas mediave të huaja, hetimet, të zhvilluara gjatë muajit të kaluar, zbuluan një aktivitet të mirëorganizuar kriminal. Gjatë operacioneve të mbikëqyrjes në zonën bregdetare të Pegli, 34-vjeçari u pa duke lëvizur me skuter drejt një pallati, nga ku më pas doli me një çantë të fshehur në bagazh.

Ndërhyrja e policisë ndodhi pasi ai u kthye sërish në të njëjtën banesë. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën 2,530 euro në cash dhe disa sete çelësash për banesa dhe automjete.

Më pas, efektivët ushtruan kontroll në apartamentin ku ai kishte hyrë, ku një 63-vjeçar mohoi fillimisht çdo lidhje me të. Megjithatë, me ndihmën e qenve antidrogë, u zbuluan rreth 1 kilogram hashash dhe 20 gramë kokainë të fshehura në kuzhinë.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e 34-vjeçarit, ku u sekuestruan 42 mijë euro dhe një detektor sinjali dixhital. Hetuesit zgjeruan operacionin edhe në zonën e Marassi, ku pas kontrollit të disa automjeteve u gjetën gjithsej 1.5 kilogramë kokainë dhe materiale për paketimin e saj, të fshehura në sedilje dhe bagazhe.

Një nga çelësat që mbante me vete i riu hapi edhe një apartament të dytë, ku policia zbuloi dy peshore precize, të përdorura për përgatitjen e dozave.

Në total, autoritetet sekuestruan mbi 2 kilogramë lëndë narkotike dhe dhjetëra mijëra euro. Dy të arrestuarit u dërguan në burgun e Marassit dhe ndodhen në dispozicion të prokurorisë italiane, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit vijojnë.

Po ndodh...

ide