Mourinho turpërohet nga skuadra e rënë nga kategoria

26 Maj 2025, 22:13 / SPORT ALFA PRESS

Mourinho turpërohet nga skuadra e rënë nga kategoria

Në një ndeshje që pritej të ishte formalitet për Fenerbahçen, skuadra e José Mourinho-s u përball me një disfatë të rëndë dhe turpëruese në fushën e Hatayspor-it, e cila tashmë është matematikisht e rënë nga kategoria.

Edhe pse zhbllokuan rezultatin me golin e En-Nesyri në minutën e 27-të, miqtë u mposhtën me shifrat 4-2 në një ndeshje dramatike dhe plot kthesa.

Gjithçka ndryshoi në minutën e 38-të, kur Mert Müldür ndaloi një kundërshtar që po shkonte i vetëm drejt portës dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Me një lojtar më shumë, Hatayspor mori zemër dhe barazoi rezultatin një minutë para përfundimit të pjesës së parë, falë një autogoli të portierit të Fenerbahçes, Cetin.

Pjesa e dytë nisi me ambicie nga Fenerbahçe, por ishte sërish Cetin ai që u bë protagonist negativ, duke gabuar në daljen nga porta dhe duke i dhënë avantazhin vendasve në minutën e 53-të, me golin e Boutobba.

Mbrojtja e Mourinhos vazhdoi të lëkundet dhe në minutën e 64-t, pas një faulli të Milan Skriniar brenda zonës, Saglam shënoi nga pika e bardhë për 3-1.

Pavarësisht ndryshimeve taktike të Mourinho-s, situata vetëm sa u përkeqësua.

Me futjen në lojë të portugezit Joelson Fernandes, Hatayspor shënoi golin e katërt me anë të Okoronkwo në minutën e 66-të, duke i dhënë kështu përmasat e një humbjeje poshtëruese Fenerbahçes.

Irfan Kahveci arriti të shënonte në fundin e ndeshjes (90+4’), pasi një tjetër gol i tij në minutën e 78-t u anulua për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, goli i tij nuk ishte i mjaftueshëm për të ndryshuar ndjeshëm rezultatin apo për të zbutur dështimin e skuadrës.

Kjo ishte një nga humbjet më të rënda të sezonit për José Mourinho-n dhe Fenerbahçe-n, që tashmë gjenden 11 pikë larg liderit dhe kampionit të shpallur, Galatasaray.

Ndërkohë, Hatayspor pavarësisht fitores mbetet në vendin e 18-të me 26 pikë, ndërsa Adana Demirspor mban vendin e fundit me vetëm një pikë.

Një mbrëmje për t’u harruar për Mourinho-n dhe Fenerbahçe-n dhe një triumf historik për Hataysporin.

 

Po ndodh...