Kampionati i vajzave / Vllaznia shpallet kampione e Shqipërisë pas triumfit 2-0 ndaj Apolonisë

29 Maj 2026, 21:08 / SPORT ALFA PRESS

Kampionati i vajzave / Vllaznia shpallet kampione e Shqipërisë pas

Vllaznia është shpallur kampione e edicionit 2025-2026 në kampionatin e futbollit të vajzave, pasi triumfoi 2-0 ndaj Apolonisë në finalen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Falë këtij triumfi, skuadra kuqeblu siguroi trofeun e 13-të radhazi të kampionatit. Kapitenia Megi Doçi zhbllokoi sfidën në pjesën e parë, duke i dhënë avantazhin Vllaznisë pas një 45-minutëshi të luftuar dhe me raste nga të dyja skuadrat.

Në pjesën e dytë, Apolonia tentoi të rikthehej në lojë, por vajzat shkodrane administruan mirë avantazhin dhe në minutën e 81-të, Teresa Deda realizoi edhe golin e dytë, që vulosi fitoren dhe titullin kampion për Vllazninë.

Pas përfundimit të takimit u zhvillua ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut. Zëvendës-presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, i dorëzuan medaljet dhe kupën ekipit kampion.

Falë rritjes së koeficientit të Shqipërisë në UEFA, vendi ynë do të përfaqësohet me dy skuadra në UEFA Women’s Champions League. Kampionia Vllaznia do të garojë në “Champions Path”, ndërsa Apolonia, si skuadra e renditur në vendin e dytë në kampionat, do të marrë pjesë në “League Path”. Të dyja ekipet do ta nisin aventurën europiane nga raundi i dytë kualifikues.

Po ndodh...

ide