PS nisi garën për të rimarrë Tiranën, Hasimja: PD e ka të vështirë fitoren nëse del me kandidat të vetin dhe jo konsensual

24 Shtator 2025, 21:40 / POLITIKË ALFA PRESS
PS nisi garën për të rimarrë Tiranën, Hasimja: PD e ka

Pasi shpalli kandidaturën e Ogerta Manastirliut, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, edhe pse ende nuk ka një datë të dekretuar nga presidenti Bajram Begaj.

Pasditen e kësaj të mërkure, kryetari i PS, Edi Rama mblodhi në një takim në selinë rozë ministrat dhe deputetët e Tiranës, për të diskutuar për hapat që do të ndërmerren më tej.

Edhe pse opozita ende nuk ka një kandidat zyrtar, kryeministri Rama u duk i pashqetësuar nga emri dhe tha se Manastirliu do të dalë fituese nga gara.

Për të folur rreth zhvillimeve më të fundit politike, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi ishte politologu Ermal Hasimja.

Politologu tha se Partia Demokratike do ta ketë të vëshitrë fitoren nëse nuk del me një kandidat konsensual.

-Në opinionin publik e dimë se ka pikëpyetje në lidhje me qëndrimin e PS ndaj Veliaj, i cili ka qenë një figurë kryesore në PS. Si mendoni?

Ermal Hasimja: Nuk më duket që ka ndonjë qëndrim të çuditshëm në këtë rast. Është bërë e qartë se kush është qëndrimi i PS, të paktën i zotit Rama. Është bërë një shkarkim ligjor dhe mbi të gjitha është bërë shkarkimi politik, deri në njëfarë mënyre PS i ka larë duart me Erion Veliajn dhe me shumë gjasa në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do t’i vihet vula këtij procesi.  PS ka vendosur që të vazhdojë të ecë përtej këtij procesi, sepse sa më shumë e zgjat, aq më shumë i kujton qytetarëve që kryebashkiaku i Tiranës është pas hekurave.

-Kryeministri Rama sot u shpreh “hodhëm një hap të debatueshëm në lidhje me Erion Veliajn”…

Ermal Hasimja: Kjo ka të bëjë më tepër me një mesazh që Rama dëshiron t’i japë mbështetësve të vet, t’i tregojë që Partia nuk është e gëzuar që po e bën këtë lloj veprimi. Por në fund të fundit, vendimi u mor për shkarkimin e Veliajt dhe u mor përkundër dëshirës së Veliajt për të vazhduar qëndrimin e tij pavarësisht kushteve speciale në të cilat ndodhet.

-Ogerta Manastirliu është kandidate e PS. Ndërkohë që në PD nuk po e merr njeri përsipër betejën për të hyrë në garë dhe për tu përballur me Manastirliun. Si mund të interpretohret kjo gjendje në radhët e PD?

Ermal Hasimja: PS e ka më kollaj, është në pushtet. Rama e ka më të lehtë për të marrë vendime dhe për të emëruar kandidatë, ishte i detyruar që ta bënte këtë gjë. Për t’i nxitur njerëzit që të  flisnin për Manastirliun dhe jo Veliajn në momentin e shkarkimit të tij. Për PD nuk është ndonjë proces i jashtëzakonshëm. PD zakonisht këto lloj vendimesh i ka marrë në moment të fundit. Por përtej kësaj, vonesës normale që ka pasur gjithmonë, është e qartë që situata është shumë më delikate. Nuk ka një kandidaturë, ose një qartësim të atyre që janë në listë, ndryshe nga rasti i PS ku gjërat ishin më të thjeshta. Ajo që e bën edhe më të komplikuar është llogaritja e rrezikut, që një kandidat i cili thjesht do të vinte nga PD do ta kishte shumë të vështirë të fitonte. Është e vështirë që PD me një kandidat të vetin, jo konsensual të merrte dhe votat e pjesës tjetër të opozitës.

-Parlamenti rifilloi punimet dhe duket si një kopje e sesionit të kaluar. Nuk ka hapësirë për debate, ballafaqime idesh apo alternativash. Kujt prej palëve i intereson më shumë?

Ermal Hasimja: Nuk mendoj se i intereson dikujt. Në momentin kur Rama vendosi as mos ta hapë debatin për buxhetin, nuk i bën mirë imazhit të tij. Për opozitën nuk është diçka e mirë, por i jep një lloj rasti, mundësie për të denoncuar akoma më tepër qeverisjen në pushtet. Ata që humbin në të gjitha rastet janë shqiptarët. Është rast unikal që prezantohet një ligj kaq i rëndësishëm dhe mbyllet pa asnjë lloj debati. Kjo është një gjë që nuk ka ndodhur më parë në parlamentin shqiptar./vizionplus.tv

Po ndodh...

ide