“Duhet të mbrohen vijat e kuqe”/ Albatros Rexhaj: Rama të marrë shembull nga Kurti për ndërkombëtarët

19 Shkurt 2026, 22:08 / POLITIKË ALFA PRESS

“Duhet të mbrohen vijat e kuqe”/ Albatros Rexhaj: Rama të

Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se kryeministri Edi Rama bëri mirë që foli sot në Bordin e Paqes për çështjen e UÇK-së dhe shtoi se kryeministri i Kosovës, “Albin Kurti e ka treguar rrugën që duhet ndjekur, që duhet pasur guxim, duhet pasur pak dinjitet, duhet të mbrohen vijat e kuqe pavarësisht çmimit që duhet të paguash”.

“Prej Evropës asnjëherë nuk kemi parë. Edhe kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite. Evropa di vetëm të shantazhojë, di vetëm të kërkojë dhe nuk jep asgjë. Edhe është fat i madh që në Uashington nuk është më administrata demokrate nën udhëheqjen e Biden. Biden është njeri i mirë, i do shqiptarët, e do Kosovën, sikurse e ka dashur dhe Clinton. Por, administrata demokrate në mënyrën se si i trajton problemet, përfshirë dhe problemet në rajon, është e padrejtë. Nuk mundet ti tërë kohën t'i bësh të gjithë të lumtur, sidomos ta bësh një palë siç është Serbia të lumtur, sepse Serbia asnjëherë nuk di kur është mjaft. Domethënë, ata gjithmonë kërkojnë tepër e më tepër. Kështu që, në këtë kuptim kryeministri Rama ka bërë mirë që ka dalë edhe te Këshilli i Evropës, por edhe sot. Ndërkombëtarët e sotshëm nuk janë ndërkombëtarët e fundit të viteve ‘90 dhe fillimit të viteve 2000. Ka ardhur një gjeneratë e re. Unë kam punuar me ndërkombëtarë për gati tre dekada. Ka ardhur një gjeneratë e re e cila nuk do t’ia dijë për të vërtetën historike. Ka konstruktet e veta, ka idetë e veta. Politikisht kam qenë gjithmonë kundër tij, por në këtë betejë jam me zotin Thaçi sepse në gjuhën e prokurorit isha edhe unë fajtor. Secili shqiptar i Kosovës në vitet ’90, në mënyrën si e përshkroi prokurori me atë pyetjen idiote, “pse keni pasur armë”, ato janë konstrukte që vijnë nga kuzhinat serbe që e shohin çdo shqiptar të Kosovës si terrorist”, tha Rexhaj.

“Ata dhe sot e kësaj dite vazhdojnë me të njëjtën logjikë. Kështu që duhet të tregojmë dinjitet dhe është fat i madh që është Presidenti Trump, i cili Evropën e ka treguar që është e dobët, është e brishtë, edhe ky momentum duhet të shfrytëzohet sepse kjo gjykatë po mbahet me paratë e taksapaguesve. Nëse ne heshtim, rishkrimi i historisë sonë bëhet fakt i kryer. Ne nuk kemi opsion të zgjedhim mes Evropës dhe Amerikës. Duhet të zgjedhim Amerikën sepse Evropa nuk na garanton sigurinë. Sa për Evropën, nesër bëhet luftë dhe ne përfundojmë në brigjet e Adriatikut nëse nuk jemi në gjendje që të mbrojmë vetveten. Ky është fakt. Kështu që këtu edhe duhet shfrytëzuar rasti për t’i demaskuar për gjërat që ata i bëjnë dhe kanë tentuar që të njëjtën gjë ta bëjnë ndaj kryeministrit Kurti. E kanë shantazhuar me të gjitha gjërat e mundshme, nuk ia kanë dalë sepse kryeministri Kurti nuk ka lëshuar pe para kërkesave të evropianëve që fatkeqësisht edhe Uashingtoni në udhëheqjen e Biden i ka mbështetur vetëm me atë idenë që nuk donin të merreshin me Ballkanin. Pasiviteti amerikan i ka lejuar evropianëve të shkojnë dhe në kërkesa absurde. Edhe Albin Kurti e ka treguar rrugën që duhet ndjekur, që duhet pasur guxim, duhet pasur pak dinjitet, duhet të mbrohen vijat e kuqe pavarësisht çmimit që duhet të paguash. Edhe shqiptarët sot duhet ta bëjnë këtë gjë. Kështu që u desh kjo e vërtetë të thuhej sot në Uashington dhe ka bërë mirë. Kushdo që e ndjek shtypin serb, kushdo që i ndjek deklaratat e zyrtarëve serbë, ata sot flasin më shumë se kurrë për shtëpinë e verdhë, për rolin e Shqipërisë, se si shqiptarët. Domethënë për Beogradin nuk ka shqiptarë andej Morine e këndej Morine. Ata na shohin si shqiptarë. Edhe nëse Kosova humb këtë betejë, e ka humbur edhe Shqipëria. Kështu që, kryeministri Rama mendoj do ishte turpëruar sikur mos ta kishte ngritur këtë çështje sot në Uashington”, shtoi Rexhaj.

Po ndodh...