Ushqimet “Made in Albania” në tregjet e huaja/ Rënie e fortë te mishi dhe zarzavatet, por rritje dyshifrore te përpunimi ushqimor

19 Shkurt 2026, 20:15 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Ushqimet “Made in Albania” në tregjet e huaja/ Rënie e

Eksportet e ushqimeve në janar 2026 kontribuan me 0.3 pikë përqindje në rënien totale prej 4.5% të eksporteve. Analiza sipas kapitujve tregon se goditja më e fortë ka ardhur nga produktet e freskëta, ndërsa segmenti i produkteve të përpunuara dhe disa nënsektorë të tjerë kanë shfaqur qëndrueshmëri dhe rritje.

Në terma vlere, rëniet më të theksuara u regjistruan te produktet e freskëta bujqësore dhe blegtorale. “Pemët dhe bimët zbukuruese” pësuan tkurrjen më të madhe me 54.7%, të ndjekura nga “Mishi dhe të brendshmet e ngrënshme” me 48.3%, “Zarzavatet e ngrënshme” me 44.7% dhe “Produktet bulmetore, vezët dhe mjalti” me 44.4%.

Duke qenë se zarzavatet përfaqësojnë një nga zërat me peshë në strukturën e eksporteve ushqimore, tkurrja e tyre ka pasur ndikim të ndjeshëm në performancën mujore të sektorit.

Në kontrast, disa kapituj shënuan rritje të fortë në vlerë. “Drithërat” u rritën me 218.9%, ndërsa “Produktet e industrisë bluajtëse” me 148.2%.

Rritje dyshifrore u regjistruan edhe te “Sheqernat dhe ëmbëlsirat”, “Vajrat dhe dhjamrat”, “Përgatitjet prej zarzavateve dhe frutave” dhe “Pijet, alkoolet dhe uthullat”.

Ecuria në peshë konfirmon se rënia në disa kapituj nuk ka qenë vetëm efekt çmimesh, por edhe tkurrje reale e sasive të eksportuara.

“Mishi” shënoi rënien më drastike me 85.8% në peshë, ndërsa “Zarzavatet” ranë me 46% dhe “Produktet bulmetore” me 40.4%.

Nga ana tjetër, rritje të forta në peshë u regjistruan te “Drithërat” me 544.4% dhe “Produktet e industrisë bluajtëse” me 137.9%, duke reflektuar zgjerim të ndjeshëm të sasive të eksportuara.

Krahasimi i dy treguesve tregon një dinamikë të qartë: rënia në sektorin e ushqimeve është përqendruar kryesisht te produktet e freskëta, ku tkurrja ka ardhur si në vlerë ashtu edhe në volum./SCAN

Po ndodh...