2025-a/ Duka: Ishte viti i drejtësisë në Shqipëri! Alibeaj: Riktheu shpresën tek shqiptarët! Kara: Ka emrin Altin Dumani

26 Dhjetor 2025, 00:00 / POLITIKË ALFA PRESS
2025-a/ Duka: Ishte viti i drejtësisë në Shqipëri! Alibeaj:

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj e ka përshkruar vitin 2025 si një periudhë të vështirë për shqiptarët, por jo pa shpresë. I ftuar në emisionin 'Frontline' në Report Tv, ai theksoi se drejtësia ka rikthyer shpresën tek qytetarët me hetimet që u bënë gjatë këtij viti.

Sipas tij, mbështetja e fuqishme ndërkombëtare, amerikane dhe europiane, do të luajë një rol kyç në transformimin e sistemit politik dhe demokratik në vend.

‘2025 ka qenë një periudhë shumë e keqe për shqiptarët, por jo pa shpresë. Dhe kjo është thelbësore. Që nga viti 2025 e tutje, nuk do të ecim pa shpresë. Kjo shpresë nuk vjen vetëm nga meritat e drejtësisë, por edhe nga diçka tjetër shumë e rëndësishme interesi i madh dhe mbështetja që ndërkombëtarët, amerikanët dhe europianët, kanë për këtë vend. Ky do të jetë momenti kur ky sistem politik dhe demokratik do të çmontohet dhe më pas do të rindërtohet në një fazë tjetër. Dhe në fund, nuk ka rëndësi se çfarë do të ndodhë më pas vendi nuk do të mbetet pa opozitë. Sigurisht që do të ketë opozitë, por me një qasje tjetër. Unë besoj se ky do të jetë momenti kulmor. Në rastin e politikës së re, kushdo që të jetë, do të duhet të përballet me bashkëjetesën me sistemin e drejtësisë. Në raportin ku ti je qeveri, ti menaxhon pushtetin, por kontrollohesh në mënyrë të qartë dhe të vazhdueshme nga drejtësia, përmes masave sistematike dhe jo përmes abuzimit me ligjin. Kjo lloj harmonie mes politikës dhe sistemit të drejtësisë është ajo që na ka munguar dhe që, sipas meje, do ta arrijmë në vitin 2026’, tha ai.

 

Edhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Deputeti Agron Duka e ka cilësuar vitin 2025 si vitin e drejtësisë në Shqipëri. Sipas tij, drejtësia ka arritur të godas të korruptuarit duke dhënë kështu shpresë për qytetarët shqiptarë.

‘Nëse do merremi me politikën dhe drejtësinë sipas meje, në përgjithësi unë them se ky është vitit i drejtësisë sepse ka arritur që të kap shumë vepra korruptive dhe ti vejë në rrugën e penalizmit dhe kjo i jep një shpesë të madhe edhe popullit shqiptar. Për mua ky mund të quhet vitit i drejtësisë’, tha ai.

Ish- kryetari i degës së PD në Kukës Ibsen Elezi, tha se 2025 ishte viti kur drejtësia triumfoi, por sipas tij, SPAK duhet që të godasë zemrën e krimit.

‘Ka qenë viti i drejtësisë sepse ka pasur progres e shohim këtë në raport me të kaluarën. Po ta shohësh në gjykim e asaj që duhet që të bëjë është shumë larg. Unë kam qenë nga ata njerëz që kam thënë që SPAK duhet që të godas aty ku duhet të godas. SPAK s’ka arritur që të godas strukturën mafioze në këtë vend. Goditja shihet sa i dëmton këto organizata kriminale. A ka arritur SPAK t’i bëjë dëmë kësaj strukture mafioze. Nuk ka arritur sepse konfiskimet e pasurive të këtyre shkojnë në shifra 100 mln euro kurse nga institucionet e pavarura deklarohet se në vend pastrohen rreth 3 miliardë euro. A ka goditur SPAK atë që është zemra e strukturës mafioze në këtë vend?’, tha ai.

Juristi Romeo Kara e ka përshkruar vitin 2025 si një vit ku korrupsioni u nxor në pah. Ai theksoi se drejtësia fitoi, ndërsa vlerësoi figurën e Altin Dumanit si njeriu i vitit.

‘Ky është viti që korrupsioni në vend doli në shesh. E kanë kthyer qeverisje në një banditokraci. Unë jam i lodhur me këta njerëz në këtë vit fitoi drejtësia, njeriu i vitit Altin Dumani dhe mendoj se populli nuk është i përfaqësuar në parlament, duhen reforma të thella, duhet një qeveri teknike një kod tjetër zgjedhor. Të shkohet drejt sekuestrimit të pasurive. Menduan se do të largoheshin partnerët me në krye Amerikën, por janë kthyer edhe më fortë. Është edhe një vit shprese’, tha ai.

Po ndodh...