Krenar Ahmeti: Siguria e protestës mbështetet te qytetaria, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e Ramës
Protesta për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 37-të, ndërsa nga ana tjetër qeveria ka bërë të ditur se po shqyrton kërkesat e paraqitura nga qytetarët. Pavarësisht këtij zhvillimi, organizatorët deklarojnë se qëndresa do të vijojë deri në realizimin e kërkesës kryesore.
I ftuar në MCN Informacion, ish-oficeri i Policisë, Krenar Ahmeti, u shpreh se protesta ka ruajtur karakterin e saj paqësor falë qytetarisë së pjesëmarrësve dhe bashkëpunimit me institucionet e sigurisë.
Protesta është tërësisht paqësore. Strategjia e saj është masiviteti. Qëllimi është që në të të marrin pjesë të gjithë: të rinj e të moshuar, gra, burra e fëmijë. Ne po përpiqemi, me qytetari dhe me të gjitha mundësitë që kemi, të garantojmë sigurinë. Edhe forcat e rendit duhet të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë që të krijohet një ambient sa më i qetë për protestuesit.
Ai theksoi se organizatorët janë të vetëdijshëm se në çdo protestë mund të ketë individë që tentojnë të provokojnë incidente, por sipas tij, raste të tilla nuk përfaqësojnë protestuesit.
Nuk duhet të harrojmë se çdo protestë, sipas të gjitha manualeve të menaxhimit të protestave, përbëhet nga kategori të ndryshme njerëzish. Ka qytetarë të zakonshëm, kureshtarë, provokatorë dhe persona me axhenda të veçanta. Prandaj ne përpiqemi të identifikojmë ata që potencialisht mund të shkaktojnë dhunë ose të nxisin incidente. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit dhe me institucionet e tjera të sigurisë për shkëmbimin e informacionit, në mënyrë që çdo qytetar, por edhe turistët dhe të huajt, të jenë të sigurt.
Sipas Ahmetit, incidentet sporadike që janë regjistruar në ditët e protestës nuk kanë lidhje me organizatorët apo me frymën e tubimit.
Jam i bindur se protesta do të vazhdojë e qetë, siç ka qenë deri tani. Disa incidente sporadike nuk lidhen me protestën dhe as me organizatorët e saj. Ato janë shkaktuar nga persona që kanë pasur axhenda të tjera dhe kanë tentuar të provokojnë situata. Për raste të tilla ligji ka vepruar dhe do të vazhdojë të veprojë.
Duke folur për objektivin e protestës, Ahmeti nënvizoi se fokusi kryesor mbetet Kryeministria dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.
Nuk dua ta analizoj situatën te Parlamenti. Dua ta shoh protestën në tërësi. Zemra dhe trungu i saj është te Kryeministria. Thelbi është aty ku qytetarët janë mbledhur me kërkesën kryesore: dorëheqjen e kryeministrit. Ai duhet të ulet në të njëjtin nivel me qytetarët. Rregullat duhet të jenë të barabarta për të gjithë. Kjo është kërkesa kryesore e protestës paqësore.
Ahmeti komentoi edhe deklarimin e qeverisë se po shqyrton kërkesat e qytetarëve, duke theksuar se problemi nuk është mungesa e grupeve të punës, por mungesa e zgjidhjeve konkrete.
Nuk e di çfarë bën qeveria. Di vetëm që ajo ka pasur trembëdhjetë vjet kohë për të mos e sjellë vendin në këtë gjendje. Sa herë që nuk duan të bëjnë punë në këtë shtet, krijojnë një grup pune, një task-forcë ose një komision. Kjo nuk i zgjidh problemet. Ne kërkojmë që dialogu të zhvillohet në kushte të barabarta. Kur negociohet me sovranin, palët duhet të jenë në të njëjtin nivel.
I pyetur mbi mbështetjen publike për protestën, Ahmeti iu referua rezultateve të një sondazhi, sipas të cilit shumica dërrmuese e qytetarëve mbështesin protestën dhe një pjesë e konsiderueshme kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Në një sondazh shkencor me rreth 3.600 të anketuar, rreth 90–91 për qind ishin pro protestës, ndërsa 61–62 për qind ishin pro dorëheqjes së kryeministrit. Jam i bindur se, nëse do të bëhej një sondazh tjetër sot, këto shifra do të ishin edhe më të larta. Kryeministri dhe stafi i tij i njohin shumë mirë këta tregues.
Në përfundim, Ahmeti ritheksoi se protesta nuk do të ndërpritet deri në arritjen e objektivit të saj politik.
Edhe sikur në protestë të mbeten vetëm pesë veta, ne do ta vazhdojmë këtë kauzë derisa të dëgjohet kërkesa e qytetarëve për dorëheqjen e kryeministrit. Pas kësaj nuk kemi asgjë kundër askujt. Partia Socialiste është pjesë e këtij vendi. Le t'i fitojë zgjedhjet nëse qytetarët e votojnë, por mbi bazën e ligjit, të Kushtetutës dhe të një shteti normal.
Po ndodh...
Vulën që Edi Rama ia dha Sali Berishës, ia mori populli
ide
Stop fyerjes së inteligjencës së shqiptarëve!
Mbi Natyrën e Thellë të Protestës Shqiptare të 2026
Promemorje Psiko-politike në kohë proteste!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128