Pse 35 deputetë nga opozita firmosën pro Endri Shabanit si Avokat i Popullit?

9 Dhjetor 2025, 17:08 / IDE NGA KRESHNIK SPAHIU

Pse 35 deputetë nga opozita firmosën pro Endri Shabanit si Avokat i

70% e grupit parlamentar të Partisë Demokratike kanë mbështetur juridikisht dhe zyrtarisht Endri Shabanin si kandidat për Avokat të Popullit. Kurrë më parë demokratët nuk kanë pasur një konsensus kaq të madh sa ky i mbështetjes për Endri Shabanin.

Por pse Sali Berisha u bë pishman dhe po bën kot sikur nuk është palë në proces?
Sot Berisha doli me një teori komike dhe antikushtetuese: “Partia do tërheqë firmat.”

35 vjet deputet por akoma nuk e ka mësuar që 35 deputetë janë përfaqësues të sovranitetit të votuesve dhe firma e tyre është individuale.

Për Endri Shabanin kanë firmosur e gjithë Kryesia e PD: Agron Gjekmarkaj, Flamur Noka, Ina Zhupa, Tomor Alizoti, Jorida Tabaku, Klevis Balliu, Oerd Bylykbashi etj.
Kaq firma as Sali Berisha nuk i kishte në legjislaturën e kaluar, sepse shumica e këtyre firmëtarëve e përjashtuan nga partia.

Firmat e deputetëve janë të vetmet që vlejnë për depozitimin e kandidaturës dhe duhen minimalisht 28 firma. Pas propozimit, kandidati zgjidhet nga Kuvendi me 3/5 e votave.

Po, në praktikën parlamentare shqiptare, tërheqja është e mundur vetëm PARA mbylljes së procedurës së depozitimit.
Pas depozitimit zyrtar të kandidaturës:
• pranohet nga Kuvendi,
• publikohet si kandidaturë zyrtare,
• kalon për shqyrtim në komisionin përkatës, atëherë firmat nuk hiqen më, edhe nëse deputetët shprehin ndryshim qëndrimi. Ata thjesht mund të mos e votojnë kandidatin në seancë.
Pasi lista shpallet zyrtare, firmat nuk mund të tërhiqen më.

Sali Berisha prej një muaji deklaron se do mbështesë Besim Ndregjonin, Adriana Kalanë, Dardan Mustafajin, Jola Hysën, por firmat praktikai i dha edhe Endri Shabanit.

Në fakt, të enjten do të votohet Endri Shabani, sepse me të drejtë Partia Socialiste do të zgjedhë një nga kandidaturat që ka më shumë firma nga opozita, por edhe ka eksperiencën ligjore brenda kritereve kushtetuese për Avokat të Popullit.
Sigurisht Berisha duhet të justifikohet te kandidatët e tjerë që “narkoshteti” i Ramës zgjodhi “avokatin e krimit”, por të gjithë do të kuptojnë aktrimin dhe komedinë e tij.
Sali Berisha ose po bën lojë me Edi Ramën për ta votuar Endri Shabanin, ose ka jashtë kontrollit 70% të grupit parlamentar që i besuan firmat atij që e ka gjunjëzuar mediatikisht Berishën, duke i thënë:
“Largohu nga politika, se të kam gjetur në pushtet që ditën që kam lindur.”
Mesa duket, Endri Shabani po e nxjerr vërtet në pension “stërgjyshin” e tij.

Po ndodh...

ide