Shtrenjtimi/ Fillon abuzimi me çmimin e naftës në Shqipëri: Vendi i parë në kontinent që nis rritjen e çmimit

5 Mars 2026, 20:24 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Shtrenjtimi/ Fillon abuzimi me çmimin e naftës në

Vetëm pak ditë pasi ekspertët paralajmëruan rritje të çmimit të karburanteve, shenjat e para të shtrenjtimit kanë nisur të shfaqen në tregun vendas. Në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë është vërejtur rritje e çmimit të naftës me rreth 4 lekë për litër. 

Faktoje vëzhgoi të njëjtat pika karburanti, dy ditë pas publikimit të analizës së mëparshme, dhe konstatoi se rritja e çmimit ka nisur të reflektohet në disa nga pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet.

Megjithatë, shtrenjtimi nuk është reflektuar në të gjitha rrjetet e karburanteve. Në shumicën e pikave me pakicë, nafta vijon të tregtohet nga 175 lekë për litër.

Një situatë e ngjashme u shënua edhe në Kosovë, ku çmimet e karburanteve u rritën menjëherë pas luhatjeve në bursat ndërkombëtare. Megjithatë, autoritetet përgjegjëse atje reaguan shpejt duke ndërmarrë masa për të parandaluar rritje të pajustifikuara.

Deputeti Erion Braçe kritikoi mënyrën se si po monitorohet tregu, duke theksuar se hetimi duhet të nisë nga zinxhiri i importit dhe jo vetëm nga pikat e shitjes me pakicë.

Sipas tij, monitorimi i kufizuar vetëm tek tregu me pakicë nuk është i mjaftueshëm për të kuptuar pse çmimet rriten menjëherë, edhe kur bursat ndërkombëtare nuk kanë shënuar ndryshime të ngjashme.

Ndërkohë, Braçe ngriti pikëpyetje edhe për faktin se në periudhat kur çmimet ndërkombëtare kanë rënë, çmimet në tregun vendas shpesh kanë mbetur të pandryshuara.

Në të njëjtën linjë, edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka cilësuar paralajmërimin e kompanive për rritje çmimesh si spekulim të pastër tregtar. Ajo theksoi se tregjet ndërkombëtare ende nuk kanë reflektuar një rritje të tillë që të justifikojë shtrenjtimin e menjëhershëm në Shqipëri.

Sipas saj, çmimet e karburanteve në Shqipëri janë 20–30% më të larta se në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe rritja e menjëhershme e çmimeve pa reflektim në bursat ndërkombëtare tregon se tregu i karburanteve nuk funksionon sipas parimeve të konkurrencës së lirë.

Për momentin, rritja e çmimeve në tregun shqiptar mbetet e kufizuar. Megjithatë, në një ekonomi që mbështetet kryesisht tek importet për furnizimin me karburante, zhvillimet në bursat ndërkombëtare pritet të përcaktojnë nëse ky shtrenjtim do të jetë i përkohshëm apo do të vijojë më shumë javët në vijim.

Po ndodh...