I përfshirë në dosjen Epstein, arrestohet ish-ambasadori britanik në SHBA, Peter Mandelson

23 Shkurt 2026, 19:39 / BOTA ALFA PRESS

I përfshirë në dosjen Epstein, arrestohet ish-ambasadori britanik

Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA dhe figurë e njohur e politikës britanike, Peter Mandelson, është arrestuar në Londër nën dyshimin për “sjellje të keqe në detyrën publike”.

Në një deklaratë zyrtare, Metropolitan Police njoftoi se një burrë 72-vjeçar u arrestua të hënën, më 23 shkurt, në një adresë në Camden. Ai u dërgua në një komisariat në Londër për t’u marrë në pyetje. Arrestimi vjen pas bastisjeve në dy prona në zonat Wiltshire dhe Camden.

Mediat britanike raportojnë se Mandelson u pa duke u larguar nga shtëpia e tij në Camden, i shoqëruar nga oficerë me rroba civile, dhe u transportua me automjet për në ambientet e policisë.

Policia kishte konfirmuar më herët gjatë muajit se kishte nisur një hetim penal lidhur me akuza për sjellje të pahijshme në ushtrimin e funksionit publik.

Mandelson ka qenë një figurë kyçe e Labour Party që prej viteve ’80 dhe një nga arkitektët e transformimit të saj në “New Labour” nën drejtimin e Tony Blair. Në dhjetor 2024, ai u emërua ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Uashington nga kryeministri Keir Starmer.

Emri i tij u përfshi në polemika për shkak të lidhjeve me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Më herët, ai u shkarkua nga një rol zyrtar pasi dolën informacione të reja mbi marrëdhënien e tij me Epstein dhe më pas dha dorëheqjen edhe nga Dhoma e Lordëve.

Po ndodh...