Donald Trump i nënshtrohet kontrollit mjekësor rutinë në Spitalin Ushtarak: Ndjehem mirë fizikisht dhe mendërisht

10 Tetor 2025, 22:16 / BOTA ALFA PRESS

Donald Trump i nënshtrohet kontrollit mjekësor rutinë në

Presidenti amerikan Donald Trump, 79 vjeç, iu nënshtrua një kontrolli rutinë shëndetësor të premten në Spitalin Ushtarak “Walter Reed” pranë Uashingtonit, një procedurë që, sipas këshilltarëve të tij, është pjesë e kujdesit të rregullt mjekësor.

Trump, i cili mbetet presidenti më i moshuar që ka marrë detyrën, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, ka mbajtur një ritëm aktiv pune dhe është i njohur për dashurinë ndaj mishit të kuq. Të dielën, ai pritet të udhëtojë në Lindjen e Mesme, pas rolit të tij si ndërmjetës në një marrëveshje armëpushimi në Gaza.

“Fizikisht ndjehem shumë mirë, mendërisht ndjehem shumë mirë”, deklaroi Trump për gazetarët, duke theksuar se vizita ishte një kontroll gjashtëmujor. “Më pëlqen të bëj kontrolle. Gjithmonë në kohë. Gjithmonë herët.”

Të dhëna nga vizitat e mëparshme

Sipas raportit të publikuar në prill nga Shtëpia e Bardhë, Trump ka gjatësi 1.90 m dhe peshon 102 kg, me kolesterol të lartë por të kontrolluar mirë, ndërsa u vlerësua për gjendjen e tij fizike të mirë dhe aftësitë në golf.

Në korrik, ai u shfaq me këmbë të enjtura dhe një mavijosje në dorën e djathtë, çka ngjalli dyshime për gjendjen e tij shëndetësore. Më pas, mjeku i tij, Dr. Sean Barbambela, sqaroi se bëhej fjalë për insuficiencë venoze kronike, një gjendje e zakonshme për personat mbi 70 vjeç.
Mavijosja në dorë, sipas doktorit, vinte nga irritimi i indeve të buta për shkak të shtrëngimeve të shpeshta të duarve dhe përdorimit të aspirinës, si pjesë e një kure parandaluese kardiovaskulare.

Në sfond: krahasimi me Biden dhe kujtimet nga COVID-i

Shëndeti i Trump ka qenë në qendër të vëmendjes publike, veçanërisht pas tërheqjes së presidentit Joe Biden nga gara për rizgjedhje në vitin 2024, mes dyshimeve për gjendjen e tij fizike dhe mendore.

Trump ka insistuar vazhdimisht se është më i ri, më energjik dhe më në formë se Biden, ndonëse gjatë mandatit të parë, në vitin 2020, pati kritika për mungesë transparence pas infektimit të tij me COVID-19.

Po ndodh...

ide