Rrëshqitjet e tokës në aksin Librazhd–Prrenjas, OST njofton ndërprerje të energjisë

22 Shkurt 2026, 09:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Rrëshqitjet e tokës në aksin Librazhd–Prrenjas, OST njofton

Situata e rënduar nga rrëshqitjet masive të dheut në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas ka detyruar autoritetet energjetike të ndërhyjnë në mënyrë emergjente edhe në infrastrukturën e transmetimit të energjisë elektrike në zonë. Për shkak të rrezikut të krijuar nga lëvizjet e tokës, është vendosur stakimi i linjës 110 kV Librazhd–HEC Egnatia, me qëllim demontimin e shtyllës nr. 15, e cila ndodhet në një segment të prekur nga shkarjet.

Sipas njoftimit teknik të OST, ndërprerja do të nisë nesër, më datë 22.02.2026, nga ora 08:00 dhe do të zgjasë deri në përfundim të punimeve. Masa konsiderohet e domosdoshme për të garantuar sigurinë e personelit dhe për të shmangur çdo rrezik për stabilitetin e rrjetit, në një kohë kur zona po përballet me presion të shtuar gjeologjik.

Si masë sigurie shtesë, është kërkuar gjithashtu stakimi i fiderit nr. 3 Hotolisht, që del nga nënstacioni Librazhd, si dhe i linjës së HEC Dragostunjës, të cilat operojnë në të njëjtin fider. Po ashtu, do të stakohet edhe linja 35 kV e HEC Dragostunjës që furnizohet nga nënstacioni 110 kV Librazhd.

Këto veprime teknike vijnë në një moment delikat për zonën, ku reshqitjet e tokës kanë krijuar jo vetëm probleme në qarkullimin rrugor, por edhe rrezik për infrastrukturën kritike, përfshirë rrjetin energjetik. Autoritetet kanë theksuar se ndërhyrja është parandaluese dhe synon të shmangë dëmtime më të mëdha që mund të cenonin furnizimin me energji në një shtrirje më të gjerë.

Aksi Librazhd–Prrenjas është një nga segmentet më të ndjeshme në aspektin gjeologjik, sidomos në periudha me reshje intensive, kur lëvizjet e dherave dhe shembjet e pjesshme të skarpatave shtojnë rrezikun për infrastrukturën rrugore dhe atë energjetike. Demontimi i shtyllës nr. 15 dhe sigurimi i linjës 110 kV konsiderohen hapa të domosdoshëm për të stabilizuar situatën dhe për të garantuar vijimësinë e operimit në kushte sigurie.

Ndërkohë, pritet që strukturat përgjegjëse të vijojnë monitorimin e zonës, si në planin rrugor ashtu edhe në atë energjetik, për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm të emergjencës së krijuar nga reshqitjet masive të dheut. 

 

Po ndodh...

ide