Përplasja Pacolli-Ademi për aeroportin e Vlorës, situata drejt normalitetit! Biznesmeni emëron administratorin e ri

Përplasja e vazhdueshme për aksionet e firmës koncesionare që po ndërton Aeroportin e Vlorës ka marrë një tjetër kthesë, teksa përplasja mes dy aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi vijon për të disatin muaj, me akuza konkrete, vendime të aksionerëve, emërime, shkarkime apo edhe tashmë me procese gjyqësore.
Ditën e djeshme, Pacolli shkroi në rrjete sociale se operimi në Aeroport do të vijojë tashmë normalisht. Ai nuk dha shumë detaje, as se çfarë vendimi ka marrë, emërimet, proceset gjyqësore apo edhe mbarëvajtja e hetimit të çështjes, që tashmë është në dyert e Prokurorisë së Tiranës.

Përplasja e vazhdueshme e Pacollit me aksionerin në minorancë, menjëherë sapo turqit u larguan me xhepa plot, duket se e futi në qorrsokak të gjithë atë vepër, e projektuar për t’u hapur në verën që sapo lamë pas, e trumbetuar me të madhe se aeroporti është gati. Aktualisht, është shkruar se vepra do të hapet në verën e vitit 2026, atje ku janë caktuar edhe oraret e fluturimeve të linjave ndërkombëtare.
Me letra, duke parë dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania e Pacollit ka 98 % të aksioneve, ndërkohë që Valon Ademi ka me letra 2 %, ndërkohë që pretendon 47 % të aksioneve. Në ditët e fundit ka pasur zhvillime nga të dyja krahët, ku Pacolli ka preferuar që t’a ndajë me opinionin publik, duke shkruar në internet se “po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës!

“Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj. Është një ndjenjë krenarie për një qytetar, kur drejtësia në vendin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme. Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falenderuar drejtësisë!” shkruan Pacolli.
Prej shumë muajsh, firma koncesionare që po ndërton Aeroportin e Vlorës, nuk ka pasur një administrator, teksa ka pasur shkarkime dhe emërime të njëanshme. Në datën 11 dhjetor 2025, është bërë një mbledhje e njëanshme nga shoqëria “2A GROUP”, me perfaqësues ligjor dhe ortak të vetëm Valon Ademin. Në këtë takim ishte i pranishëm vetëm Ademi, i cili shkruan në dokumente se shoqëria e tij, është e vetmja që ka të drejtë vote aktive në Vlora International Airport, VIA shpk.

Kompania tjetër aksionere, “Construction”, e familjes Pacolli, s’ka qenë qe pranishme. “Mbedhja e Asamblesë së Përgjithshme u thirr për të diskutuar dhe vendosur mbi rendin e ditës caktimin e administratorit të ri të shoqërisë Vlora Internacional Airoport-VIA shpk. Pas diskutimit asambleja vendosi emërimin e administratorit z.Vegim Hoxha, me mandat 2 vjet, duke filluar nga data e këtij vendimi” thuhet në dokumentet që ka siguruar VoxNews.
Ky vendim, i është dërguar Qendrës Kombëtare të Biznesit, e cila e ka pasqyryar në ekstraktin e firmës koncesionare, duke njohur tashmë si administrator z. Vegim Hoxha. Një kopje të vendimit të gjykatës, të datës 17 tetor 2025, ku Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i hoqi të drejtën e votës dhe ngriu aksionet e Pacollit, iu dërgua po QKB-së.
VoxNews shfletoi dokumente të tjera, ku rezulton se Ademi ka vepruar i vetëm, pa asnjë miratim nga aksioneri tjetër, teksa ka vendosur po vetëm që të emërojë administratorin. Në procesverbalin e asaj mbledhje, shkruhet se është legjitimuar se “në bazë të statutit të firmës, merret në konsideratë fakti se ky vendim po merret nga i vetmi ortak me të drejtë aktive vote në shoqëri, që është shoqëria
‘2A Group’”. Sipas saj, në këto kushte, vendi i mbledhjes konsiderohet i përshtatshëm dhe i ligjshëm.

Më tej shkruhet se asambleja konstaton se mbledhja është e vlefshme dhe e rregullt, pasi i vetmi ortak me të drejtë vote - 2A Group SH.P.K. – përfaqëson 100% të kuotave të vlefshme për votim.
“Nevoja e thirrjes së kësaj mbledhjeje të jashtëzakonshme lidhet drejtpërdrejt me dorëheqjen e parevokueshme të administratorit të Shoqërisë dhe pasqyrimin e kësaj dorëheqjeje në ekstraktin e QKB-së për VIA-n, të datës 17.11.2025. Mungesa e administratorit, në këtë kontekst, sjell pasoja të rënda të natyrës juridike, financiare dhe operacionale, si dhe rrezikon seriozisht zbatimin e Kontratës Koncesionare dhe detyrimeve të Shoqërisë ndaj Autoritetit Kontraktor” thuhet më tej.
Procesverbali i mbledhjes vijon se ligji nuk e kushtëzon kuorumin me pjesëmarrjen e ortakëve pa të drejtë vote, sepse kuotat e tyre nuk gjenerojnë asnjë kapacitet vendimmarrës. “Kuota e një ortaku që nuk ka të drejtë vote është juridikisht ‘e shurdhër’ për efekt të kuorumit dhe shumicës. Në rastin konkret, si rezultat i pezullimit të së drejtës së votës së MABCO Construction SA me vendim gjykate, kuotat e MABCO-s përjashtohen automatikisht nga llogaritja e kuorumit. Pezullimi i votës nuk prek pronësinë formale të kuotës, por çaktivizon atributet e saj institucionale dhe e nxjerr këtë kuotë jashtë çdo funksioni në Asamble” vijon dokumenti.
Një përplasje që tashmë është futur në kalenda, sa gjyqësore, hetimore e administrative. Vendime që mund të sjellin pasoja tepër të rënda në të ardhmen, duke qenë se vepra është një prioritet i qeverisë shqiptare për t’a ndërtuar./VoxNews
Po ndodh...
ide
Mungesa e moralit, si mburojë për Ballukun
SHBA dhe Trump, firmosin ndëshkimin për Ramën dhe Berishën
"Dënim paraprak për Belinda Ballukun", përgjigje për Baton Haxhiun
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

