Pamje apokaliptike nga Juglindja! Ura e ndarë në mes dhe rruga e shkatërruar thuajse totalisht te “Arrat e Gurrës”

Pamjet apokaliptike vijnë nga Librazhd-Prrenjas, në vendin “Arrat e Gurrës”, ku duket se asgjë nuk ka ngelur nga rruga e vjetër.
Katër ditë pas çarjes së parë të asfaltit, aksi nacional Librazhd-Pogradec, vijon të mbetet problematik dhe plotësisht i pakalueshëm. Situata në segmentin e njohur si “Arrat e Gurrës”, pjesë e rrugës kombëtare Librazhd-Pogradec, është përkeqësuar, ndërsa punonjësit nuk janë rikthyer ende në terren për të vijuar me ndërhyrjet.
Gjithçka nisi katër ditë më parë me një krisje në sipërfaqen e asfaltit. Brenda pak orësh, plasaritja u thellua, duke u fundosur plotësisht trupi i rrugës. Sot, pamjet nga vendngjarja tregojnë një rrëshqitje masive dheu që nis nga maja e kodrës dhe zbret deri në shtratin e lumit Shkumbin, duke përfshirë të gjithë strukturën mbajtëse të segmentit.
Burime për mediat bëjnë me dije se edhe traseja e re, pjesë e projektit të Korridori VIII, ka pësuar dëmtime të rënda. Ura në këtë zonë është degraduar, ndërsa asfalti ka ceduar në mënyrë të pakthyeshme, duke e bërë të pamundur çdo qarkullim.
Tentativa për hapjen e një by-pass-i provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese u ndërpre, pasi rrëshqitjet e vazhdueshme të tokës krijuan rrezik serioz për jetën e punëtorëve. Që prej ditës së djeshme, në terren nuk ka rifilluar asnjë ndërhyrje. Burime bëjnë me dije se pritet vendimi përfundimtar i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, i cili do të përcaktojë shkaqet dhe masat që duhet të merren për stabilizimin e zonës dhe pas këtij raporti mund të vendoset apo jo për rifillimin e punimeve.
Ndërkohë, prej ditës së diel kanë nisur hetime për disa vepra penale, mes tyre “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera”, “Shkatërrim prone” dhe “Ndotje e mjedisit”. Në fokus është edhe aktiviteti i kompanive që po zbatojnë lotin e shtatë të autostradës, pjesë e projektit të Korridorit VIII.
Loti në fjalë është fituar nga kompania ANK SHPK, në pronësi të biznesmenit Agim Kola. Dyshimet paraprake lidhen me ndërhyrjet në terren, përfshirë bllokimin e përrenjve dhe marrjen e inerteve nga lumi, çka mund të ketë ndikuar në destabilizimin e shpatit.
Si pasojë e bllokimit, qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit dhe Librazhdit detyrohen të përdorin aksin alternativ Maliq-Gramsh për të udhëtuar drejt Tiranës. Ky devijim jo vetëm që zgjat ndjeshëm kohën e udhëtimit, por konsiderohet edhe me risk të shtuar për sigurinë rrugore.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
