‘Pallati i kuq nga pluhuri i bardhë’/ Si u ngrit kulla “Tirana Garden Building”: Klani "Koçeku" investoi, Ilir Shtufi bëri punimet!

13 Qershor 2026, 17:13 / AKTUALITET ALFA PRESS

‘Pallati i kuq nga pluhuri i bardhë’/ Si u ngrit kulla

Ilir Shtufi, biznesmeni i cili një ditë më parë u arrestua në Selanik të Greqisë, pasi ndaj tij ishte lëshuar një masë sigurie arrest në burg rezulton se është një nga personat që ka pastruar paratë e drogës në fushën e ndërtimit.

SPAK thotë se Ilir Shtufi vlerësohet i përfshirë në veprime të kundërligjshme të pastrimit të parave duke vepruar në funksion të Luçiano Koçekut, nëpërmjet përfshirjes në një tërësi veprimesh si: shitje, tjetërsime fiktive, për qëllime të integrimit të të ardhurave te aktivitetit kriminal te Koçeku në shoqëritëNova Construction” dhe “LTD”.

‘Pallati i kuq nga pluhuri i bardhë’

Pallati Garden Building në Rrugën e Kavajës në Tiranë u ndërtua duke tërhequr vëmendjen me format e pazakonta arkitekturore, daljet shumë të dukshme pa mbështetje në tokë dhe ngjyrën imitim hekuri të ndryshkur. Përgjatë viteve të fundit, ajo është njohur si një nga ndërtesat më të kushtueshme në vend, ndonëse në pamje të jashtme, jo shumë fort e banuar.

Me një sipërfaqe prej 62 mijë metrash katrorë, një ndërtesë e tillë mund të kërkojë minimalisht 30 milionë euro për t’u ndërtuar me kosto minimale prej 500 eurosh për metër katrorë, ndërsa vlera e saj  në treg të hapur, me çmimet aktuale prej 2 mijë apo 3 mijë euro për metër katrorë,  mund të arrijë në 100 apo 200 milionë euro.

Në kërkesën për sekuestrimin e pronave të dyshuara, SPAK vëren se, sipas dëshmisë së të penduarit Erjon Alibej, “gjysma e vlerës së pallatit është investuar cash nga shtetasi Artur Koçeku.” (Artur është emër tjetër i Luçiano Koçekut).

Alibej, një ish-trafikant droge nga Elbasani, u bë bashkëpunëtor i drejtësisë disa vite më parë, pas një lufte të përgjakshme me bandën e vëllezërve Çopja që nisi me vrasjen e të vëllait të tij dhe vijoi me një dyzinë të vrarësh e të plagosurish me atentate nga të dyja palët, duke përfshirë njerëz të pafajshëm.

Duke folur për prokurorët për këtë hetim, Alibej përshkroi mënyrën se si paratë e drogës u shfaqën në tregun e ndërtimit në Tiranë duke filluar nga viti 2020, për t’u materializuar në ndërtesa ikonike, me arkitektë të promovuar nga vetë kryeministri Edi Rama. Pas fasadës paraqitet një botë biznesi me fatura të papaguara, mashtrime dhe gjobëvënie kriminale që duket se nuk janë raportuar në sistemin e drejtësisë.

Ilir Shtufi përballej me borxhe dhe me probleme me drejtësinë për shkak të akuzave për shitjen e një apartamenti disa herë, gjatë procesit të ndërtimit. Afrimi me Koçekun e ndihmoi Shtufin të paguante borxhet, të zgjidhte problemet me drejtësinë ndërsa, sipas fjalëve të Alibejt, “emri i Arturit i largoi gjobëvënësit”.

Prokurorët besojnë se Luçiano Koçeku ka nisur karrierën si trafikant rreth viteve 2008-2009, kryesisht në Angli ndërsa pas vitit 2015 besohet se ka hyrë në tregtinë ndërkombëtare të drogës, me trafik nga Amerika Latine për në Evropë.

Suksesin financiar duket se e ka shënuar nga vitet 2017 apo 2018, kur edhe i është shfaqur nevoja për t’i investuar diku.

Grupi i Koçekut dhe infrastruktura për pastrimin e parave në formën e investimeve në pallatet e Shtufit, përbën një rast tjetër të një grupi kriminal, aktiviteti i të cilëve është zbuluar falë kapjes së komunikimeve në Sky ECC nga autoritetet franceze. Sipas një prej komunikimeve të Koçekut të vitit 2020, ky shprehet i sigurt se paratë e tij janë të pastruara me sukses dhe në mënyrë të sigurt.

“Skan ca mbejn mu jo i kam rregullu letrat mir me credina me gjana per ato kompani q kam,” citohet komunikimi.

Ndërsa në realitet, sipas dëshmisë së të të penduarit Erjon Alibej, Koçeku sillej si pronar në objektet që ndërtoheshin nga Ilir Shtufi dhe se kompania e Shtufit u bë instrumenti dhe destinacioni i parave të shumë trafikantëve të tjerë të interesuar për të transformuar në apartamente dhe dyqane të ardhurat nga trafiku i drogës.

Koçekut dhe Shtufit, prokuroria i ka identifikuar edhe shumë prona të tjera. Pallati te Mine Peza, me pothuajse 34 mijë metra katrorë ndërtim, në të cilin u urdhërua sekuestroja preventive për 38% të ndërtesës dhe një numër apartamentesh, një pallat në Rrugën Stavri Themeli, në të cilin u bllokuan për llogari të hetimit 37 apartamente si dhe në pallatin Colonade në rrugën Dritan Hoxha, me sipërfaqe 31 mijë metra katrorë, ku u sekuestruan 29 apartamente.

Bumi i ndërtimit përfshiu Tiranën, bregdetin e jugut dhe, në një masë më të kufizuar, zonën e Golemit në bregdetin e Kavajës duke filluar nga viti 2018 e pas.

Vetë Nova Construction u bë kompania simbol pas ndërtimit të shumë kullave. Në faqen e saj të internetit paraqiten kulla të tilla simbol si Mali i Tiranës apo Hora Vertikale apo Bond Tower, të cilat paraqesin arkitekturë futuriste dhe që për momentin gjenden ende në fazën fillestare të punimeve. Vendimi i gjykatës ka vendosur sekuestro në vetëm tre nga kullat e kësaj kompanie ndërsa shumë të tjera nuk janë prekur.

Dyshimet dhe akuzat kanë qenë të shumta për përdorimin e sektorit të ndërtimit për pastrim parash, me disa raste të dokumentuara nga prokuroria,  ndërsa qeveria e kryeministrit Edi Rama ka këmbëngulur se aludime të tilla janë shpifje dhe baltë./BIRN

Po ndodh...

ide

Nga Neli Demi 12:52 IDE

Gen Z

Nga Neli Demi