Ligji i ri amerikan për sanksionet në Shqipëri dhe rajon: Bllokime pasurish dhe 'Non Grata' për të korruptuarit

Ligji i miratuar më 7 dhjetor në Kongres, Seksioni 8335, u jep fuqi autoriteteve amerikane të bllokojnë pasuritë dhe të ndalojnë hyrjen në SHBA për këdo që vepron kundër paqes dhe demokracisë në rajon.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur masa të forta ndaj individëve dhe subjekteve që kërcënojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Sanksionet vihen ndaj atyre që kryejnë korrupsion, shkelin të drejtat e njeriut, pengojnë marrëveshjet e paqes, ose kërcënojnë integritetin territorial të vendeve të Ballkanit. Dokumenti përmend Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen e Ohrit, Rezolutën 12/44 të OKB-së, Marrëveshjet e Dejtonit dhe vendimet e Konferencës së Londrës.
Masat përfshijnë bllokimin e çdo pasurie që personat e sanksionuar mund të kenë në SHBA, dhe ndalimin e hyrjes në vend. Vizat ekzistuese do të revokohen menjëherë dhe çdo dokument tjetër për hyrje do të anulohet automatikisht.
Sipas zyrtarëve amerikanë, këto masa janë një paralajmërim i qartë për këdo që mund të destabilizojë rajonin dhe riafirmojnë angazhimin e SHBA-së për paqen dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Një theks i veçantë për këto sanksione, që pritet të prekin edhe klasën politike dhe aktorë të tjerë në Shqipëri, i vihet koordinimit të ngushtë me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatë të tjerë, sidomos në përcaktimin dhe harmonizimin e sanksioneve, me synim dërgimin e një mesazhi të qartë për mbrojtjen e vlerave demokratike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë formalizuar një regjim të ri sanksionesh ndaj individëve dhe subjekteve të huaja që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe rendin demokratik në Ballkanin Perëndimor. Masat janë të përfshira në Seksionin 8335 – “Sanctions Relating to the Western Balkans” të një akti ligjor të miratuar nga Kongresi amerikan.
Sipas dokumentit, Presidenti i SHBA-së është i detyruar që brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të vendosë sanksione ndaj çdo personi të huaj që, pas miratimit të aktit, përfshihet në veprimtari që kërcënojnë stabilitetin rajonal.
Ligji përcakton se objekt i sanksioneve do të jenë individët që ndërmarrin veprime ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor; minojnë proceset dhe institucionet demokratike; përfshihen në korrupsion, përfshirë korrupsionin nga ose në emër të qeverive apo zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve në rajon; kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut; ose pengojnë zbatimin e marrëveshjeve kyçe të sigurisë dhe paqes.
Në mënyrë të veçantë, dokumenti thekson se sanksionet do të zbatohen edhe ndaj atyre që cenojnë zbatimin e Marrëveshjes së Prespës (2018), Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (2001), Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Marrëveshjeve të Dejtonit, si dhe vendimeve të Konferencës së Këshillit për Zbatimin e Paqes, të mbajtur në Londër në dhjetor 1995. Po ashtu, përfshihen edhe rastet që lidhen me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dhe Mekanizmin Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale.
Bllokim pasurie dhe masa të forta imigracioni
Sanksionet e parashikuara përfshijnë bllokimin e pasurisë dhe interesave financiare të personave të sanksionuar, nëse këto ndodhen në SHBA, hyjnë në territorin amerikan ose janë nën kontrollin e një personi amerikan. Presidenti autorizohet të përdorë të gjitha kompetencat e dhëna nga Ligji për Fuqitë Ekonomike të Emergjencës Ndërkombëtare për zbatimin e këtyre masave.
Njëkohësisht, ligji parashikon masa të rrepta në fushën e imigracionit. Personat e sanksionuar do të shpallen të papranueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, nuk do të kenë të drejtë të marrin vizë apo dokumente të tjera hyrjeje dhe do të përjashtohen nga çdo përfitim sipas Ligjit për Imigracionin dhe Shtetësinë.
Dokumenti parashikon gjithashtu se të gjitha vizat ekzistuese do të revokohen menjëherë, pavarësisht nga data e lëshimit, dhe çdo dokument tjetër i vlefshëm hyrjeje në posedim të individit do të anulohet automatikisht.
Sipas vlerësimeve politike në Uashington, ky regjim sanksionesh përbën një mesazh të qartë paralajmërues ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për demokracinë, sundimin e ligjit dhe paqen afatgjatë në rajon.
Po ndodh...
Rasti Balluku: Kur Rama zgjedh korrupsionin përpara Europës!
ide
SHBA dhe Trump, firmosin ndëshkimin për Ramën dhe Berishën
"Dënim paraprak për Belinda Ballukun", përgjigje për Baton Haxhiun
Teatri që fsheh prapaskenën
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
