Fijet që lidhin ish-numrin 2 të AKSHI-t me investimin 27 mln euro në Jug, a ishte në kantier ditën që u raportua pengmarrja…?!

27 Maj 2026, 22:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

Fijet që lidhin ish-numrin 2 të AKSHI-t me investimin 27 mln euro

Në episodin e parë investigues, ne zbuluam se si Daniel Shima, pas largimit nga AKSHI, themeloi disa biznese përmes të cilave po tenton të riciklojë paratë e dyshuara me burim korrupsionin.

Hulumtimi vijues zbulon disa të dhëna interesante rreth të tjerë partnerëve në investime luksoze.

Nyja lidhëse është kompania ‘DIGITAL EUPHORIA’ e zotëruar nga Shima. Një kompani që operon në sektorin e marketingut. Ne kemi analizuar me detaje aktivitetin e subjektit dhe raportet financiare, pas të cilave dalin në dritë të dhëna interesante. Rrethi i kompanive kliente janë kryesisht ‘Fab Construction’, ‘Alu Glass’, ‘Magnus’, ‘D’Amir’, ‘Shega Trans’ dhe ‘Bliss Recruiting Company’.

Në dukje, faturimet duken të rregullta në aspektin ligjor, marrë parasysh edhe faktin që sektori i marketingut është vështirë të gjesh matje konkrete mbi punën e kryer. Por, lidhjet e konsoliduara të subjekteve me Daniel Shimën ngrenë dyshime se raporti financiar është krijuar vetëm për të ekzistuar në letër, si një formë e pastrimit të parave që dalin nga tenderat e AKSHI-t…

“Është një skemë e sofistikuar siç duket dhe çdo skemë për pastrim parash kërkon mjetet e duhura të specializuara dhe vëmendje të veçantë në kohë për ta zbuluar, gjë që do të thotë se institucionet shtetërore duhet të jenë jo vetëm të vëmendshme dhe të kenë aftësitë e duhura për ta kapur, por duhet ta bëjnë këtë brenda një kohe të caktuar, pikërisht sepse rrezikohet që nëpërmjet volumit të transaksioneve që kryhen “të mbulohen” ato transaksione që vërtet janë problematike dhe sa më shumë që të kalojë koha, aq më shumë transaksione kryhen dhe aq më e vështirë është më pas për ta gërmuar dhe zbuluar të vërtetën”, u shpreh Ergis Sefa, ekspert ekonomie.

Plot 99,6 % të totalit të hyrjeve nga faturat ‘Digital Euphoria’ i ka nga subjektet ‘Shega Trans’, ‘Alu Glass’ dhe ‘Fab Construction’. Në total, 24,3 milionë lekë ose rreth 250 mijë euro.

Raporti është i konsoliduar me ‘Shega Trans’, e cila arkëton pagesa prej 1,2 milionë lekësh çdo muaj për një total prej 12 milionë lekësh.

“Fluksi i kërkesë-ofertës në treg normalisht që ndryshon dhe nuk mund të jetë konstant përgjatë muajve apo përgjatë viteve, diku më shumë e diku më pak, është cikli normal i biznesit dhe për sa kohë që ti ke një pagesë fikse, ke një numër të kufizuar punonjësish që e bën këtë dhe jo ndoshta me specializimet e duhura, atëherë dyshimi mbetet që kemi të bëjmë me një dhënie fiktive shërbimi”, u shpreh Ergis Sefa, ekspert ekonomie.

Po ashtu, raporti shfaqet i tillë edhe për kompaninë ‘Alu Glass’, e kontrolluar nga Sokol Parllaku, mik i ngushtë dhe ish-ortak me nënën e Daniel Shimës në kompaninë tjetër ‘Premium Glass’.

Pagesat nga subjekti janë fikse çdo muaj për një total prej 8,6 milionë lekësh. E njëjta formë pagese fikse vjen edhe nga kompania tjetër ‘Fab Construction’ për një total prej 3,7 milionë lekësh arkëtime.

Ajo që bie më tepër në sy mes kompanive është ‘FAB CONSTRUCTION’. Subjekt i lidhur me projektin hotelier luksoz në bregdetin e Borshit, ‘Radisson Individual Premium Borsh’, me vlerë të deklaruar rreth 27 milionë euro.

Këtu, historia bëhet edhe më interesante, nëse kemi parasysh investimet e Daniel Shimës për hotel në bregun e liqenit në Pogradec përmes të dashurës së tij, Enkeleda Hysa.

Por, a lidhet Daniel Shima me këto projekte? Formalisht, emri i tij nuk del në skenë. Por, dalin në dritë raportet financiare mes kompanisë që realizon projektin ‘Fab Construction’ dhe kompanive të lidhura me Daniel Shimën.

Përpos transaksioneve të zbuluara më sipër nga ‘Fab Construction’ drejt ‘Digital Euphoria’, kompania investitore ka kontrata të rëndësishme me subjektet e drejtuara nga Sokol Parllaku, ‘Alu Glass’ dhe ‘Premium Glass’.

Sipas informacioneve që ne disponojmë, persona të lidhur me realizimin e punimeve në strukturën luksoze hoteliere në Jug kanë parë pikërisht Daniel Shimën duke inspektuar punimet. Kjo ka ndodhur pikërisht më 20 gusht të vitit 2025, kur edhe u raportua pengmarrja e supozuar e Shimës.

Këto informacione qartësojnë investimet në ndërtime dhe rrjet hotelerie nga ish-numri 2 i AKSHI-t, që në fakt ishte njeriu që dirigjonte tenderat sipas dëshmisë së ish-kreut të Komisionit të Prokurimeve që ka rrjedhur në media.

“Emrat e operatorëve ekonomikë, të cilëve do t’u drejtohej kërkesa për ofertë, grupet e punës i merrnin gjithnjë nga Daniel Shima. Në 99% të rasteve, përgjigjet vinin bashkë në një zarf te sporteli dhe në pak raste veç e veç, duke shpjeguar se kjo i ka krijuar dyshime se ato hartoheshin nga një operator i vetëm dhe se paraqiteshin fiktivisht sikur ishin disa operatorë dhe se në këtë mënyrë edhe fituesit e procedurave ishin të paracaktuar”.

Fijet që shkojnë në hotelin luksoz në Borsh janë konfirmim i investimeve të Daniel Shimës në ndërtim. Investime që, siç kemi zbuluar më herët, janë kanalizuar përmes kompanive ‘Premium Glass’ dhe ‘Alu Glass’.

Skema nisi me blerjen e trojeve nga dy kompanitë, më pas u angazhuan një sërë subjektesh të tjera për sigurimin e lejeve, kryerjen e punimeve dhe finalizimin e plotë të investimeve.

“Fatkeqësisht, ndërtimi vazhdon të mbetet një nga motorët kryesorë që ne kemi për pastrimin e parave, jo vetëm në këtë rast por edhe në shumë raste të tjera dhe kjo është dokumentuar në raporte të njëpasnjëshme të Moneyval-it, institucionit europian që merret me ndjekjen e pastrimit të parave. Është një nga format më të njohura vendosja e parave në asete të luajtshme dhe të paluajtshme për pastrimin e tyre”, u shpreh Ergis Sefa, ekspert ekonomie./Top Channel

Po ndodh...

ide