“Viktima nisi të ofendonte”/ Gruaja e autorit të vrasjes së Egli Pashollarit: Braktisëm makinën dhe bashkëshorti ndërroi rrobat, u nis drejt qendrës...

24 Shkurt 2026, 14:46 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Viktima nisi të ofendonte”/ Gruaja e autorit të vrasjes

Bashkëshortja e Gazment Buçpapaj, autori i vrasjes së Egli Pashollarit pak ditë më parë, ka dhënë deklaratën e saj duke zbuluar disa detaje rreth ngjarjes së rëndë.

Në dëshmi, ajo ka treguar se më datë 20.02.2026 (të premten e kaluar), rreth orës 15:05, pasi përfundoi orarin e punës, është larguar nga vendi i punës me automjetin tip “Audi”,  që drejtohej nga bashkëshorti i saj, Gazment Buçpapaj.

Gjatë lëvizjes në rrugën “Ylbere Bylykbashi” dhe më pas në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, sipas Laureta Buçpapaj, një automjet ngjyrë gri e kishte bllokuar rrugën. Bashkëshorti i saj i kishte rënë borisë për ta sinjalizuar të lëvizë, por shoferi i mjetit i kishte ofenduar me fjalë të rënda. Ata nuk kanë reaguar dhe kanë vazhduar lëvizjen.

Më vonë, makina gri ka lëvizur ngadalë përpara tyre. Bashkëshorti i saj i ka rënë borisë dhe mjeti ka ndaluar. Nga automjeti kanë zbritur tre persona, përfshirë një djalë rreth 30 vjeç, me trup të dobët dhe bluzë të zezë me mëngë të shkurtra. Në ato momente, Gazment Buçpapaj ka dalë nga automjeti dhe ka nisur një përplasje fizike me grushte me personat përreth.

Laureta Buçpapaj ka ndërhyrë duke shtyrë drejtuesin e mjetit gri dhe një nga personat që e shoqëronin. Pas disa çastesh, ka konstatuar se shoferi ishte gjakosur. Ajo dhe bashkëshorti i saj janë larguar fillimisht me makinë, e cila është braktisur rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes. Më pas ata janë larguar në këmbë drejt rrugës së Kavajës dhe tek kanë marrë taksi për në banesën e tyre.

Në banesë, Gazment Buçpapaj ka ndërruar rrobat dhe më pas është larguar në këmbë drejt qendrës së Tiranës, pa marrë telefonin e tij. Laureta Buçpapaj deklaron se nuk ka parë momentin kur bashkëshorti mund të ketë goditur shoferin me ndonjë send, por dyshon se mund ta ketë përdorur një thikë me palosje që e ka parë më parë në makinën e Gazmentit.



Po ndodh...