“Ata nuk lodhen duke na vjedhur, si të lodhemi ne për 22 ditë?”/ Gazetari Osman Stafa fjalim të fortë para Kryeministrisë: Ua kemi prishur gjumin dhe pazaret!

21 Qershor 2026, 21:06 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Ata nuk lodhen duke na vjedhur, si të lodhemi ne për 22

Gazetari i News24, Osman Stafa, ka lënë për pak çaste rolin e raportuesit duke u ngjitur në podiumin e protestës përpara Kryeministrisë, ku ka mbajtur një fjalim mjaft të fortë dhe emocional. Stafa e cilësoi qëndresën qytetare si imazhin më të bukur të vendit dhe si një “algoritëm” që u ka prishur qetësinë dhe pazaret atyre që kanë pasur në dorë fatet e shqiptarëve në këto 35 vite.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen, duke bërë një krahasim me vullnetin e zyrtarëve për të abuzuar me pushtetin.

“Kjo është Shqipëria më e bukur e 33 viteve të jetës sime. Ky është kombi më i bukur në botë, ky është algoritmi më i çmendur i Shqipërisë në 35 vite se u ka prishur gjumin, ëndrrat, pazaret të gjithë atyre që për këto vite kanë pasur në dorë jetën tonë e të ardhmen tonë. Ata nuk lodhen kaq vite duke na vjedhur, si të lodhemi ne për 22 ditë proteste?” u shpreh Stafa.

Më tej, gazetari denoncoi me shifra dhe raste konkrete gjendjen alarmante në sistemin shëndetësor publik, duke sjellë në vëmendje mesazhet që merr çdo ditë nga bluzat e bardha për mungesën e trajtimeve jetike për pacientët me kancer dhe ata me probleme neurologjike. Ai e vuri këtë realitet përballë jetës luksoze që bëjnë pushtetarët.

“Akoma më shkruajnë infermierë që ka mungesa mjetesh mjekësore, ilaçesh për ata që vuajnë nga kanceri. Te Neurologjia nuk ka trajtime për të shpëtuar jetën e atyre që kanë probleme. Nuk ka ilaçe, nuk ka pajisje! Këta derdhen në luks, paguajnë verërat më të shtrenjta, paguajnë 10 mijë euro në muaj për të larë makinat!” deklaroi ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, Stafa iu drejtua brezit të ri, duke nënvizuar se fati i kësaj lëvizjeje qytetare varet plotësisht nga angazhimi masiv i tyri në bulevard.

“Rinia është motori i kësaj proteste dhe nëse do që kjo të shkojë deri në fund, duhet të jetë në shesh çdo ditë e më shumë!” përfundoi gazetari.

Po ndodh...