Foltoren kundër Bashës ia paguante Rama; Foltoren kundër Ramës s’ka kush ta paguajë

18 Nëntor 2025, 18:34 / EDITORIAL NGA ERMAL PEçI

Foltoren kundër Bashës ia paguante Rama; Foltoren kundër

Çfarë ndodhi dje në bulevard nuk ishte thjesht një protestë e dobët; ishte fotografia më e qartë e një realiteti politik që Berisha nuk pranon ta shohë: koha e Foltores ka mbaruar. Jo sepse njerëzit nuk dinë të protestojnë më, por sepse rrethanat që dikur e ushqyen Foltoren 1 sot nuk ekzistojnë. Berisha dhe njerëz pranë tij kanë tentuar të shpjegojnë protestën e djeshme si “rindërtimin apo rinisjen e Foltores 2”, por problemi është më i thellë dhe tërësisht politik.

Foltorja e parë nuk ishte thjesht një lëvizje spontane e bazës demokratike. Ajo u mbështet fuqishëm nga një rrjet interesash politike dhe ekonomike, të cilat e panë Berishën si mjet për të frenuar reformimin e Partisë Demokratike dhe për të zhvendosur nga skena lidershipin e Bashës. U financua pikërisht nga ata që krijuan McGonigal-in si një komplot kundër ish-kreut të PD-së, Bashës.

Në atë kohë, sistemit të interesave pranë qeverisë i duhej një opozitë jo konkurruese, e fragmentuar dhe e parandalueshme. Foltorja e parë u tolerua, u ushqye dhe u amplifikua pikërisht për këtë arsye: sepse synonte të godiste Bashën, jo Ramën. Prandaj pati media, pati logjistikë, pati mbështetje institucionale të heshtur dhe pati financim të tërthortë nga grupe që nuk donin një PD të reformuar dhe të unifikuar.

Sot? Sot është tjetër histori. Berisha kërkon të ndërtojë Foltoren 2 për të goditur Ramën, por ka një problem themelor: askush nuk ka më interes t’i japë oksigjen. Asnjë pushtet paralel, asnjë biznes i madh, asnjë media që kërkon të ruajë marrëdhëniet me qeverinë. Askush nuk rrezikon për një lider që sot prodhon zhurmë, por nuk prodhon influencë.

Berisha nuk prodhon më ndikim real politik dhe nuk përbën rrezik për pushtetin. Ai nuk është më instrument politik i përdorshëm për të ndryshuar ekuilibra; ai është ortaku i Ramës për të bërë pazaret e fundit, por edhe për të bërë marrëveshjet për të shpëtuar nga SPAK.

Në Foltoren 1, Berisha premtoi gjithçka: hapje, ndryshim, ringritje dhe bashkim të demokratëve. Ju tha se do e rrëzonte Ramën për 6 muaj, por thelloi humbjen akoma më shumë, ju foli për meritokraci por e shkeli me të dyja këmbët dhe sot nuk ka asnjë rezultat për t’u treguar mbështetësve të tij. Asnjë kauzë të vërtetë për të cilën ia vlen të sakrifikosh, asnjë betejë politike që nuk lidhet me hallin e tij personal me drejtësinë.

Në mungesë të një qëllimi të qartë politik dhe të një mekanizmi që e shtyn përpara, Foltorja dy mbetet një lëvizje pa energji dhe pa mundësi reale për të krijuar presion ndaj qeverisë. Kjo është arsyeja pse protesta e djeshme ishte e dobët dhe pse përpjekja për ta rimodeluar Foltoren nuk po prodhon efektin e viteve të mëparshme.

Realiteti është i thjeshtë: Foltoren kundër Bashës ia paguante Rama, sepse i shërbente pushtetit; Foltoren kundër Ramës nuk ka kush ta paguajë, sepse nuk i shërben askujt.

Po ndodh...