Gjykata gjermane dënon me burgim të përjetshëm mjekun sirian për krime kundër njerëzimit! 40-vjeçari torturoi të burgosurit politikë, kundërshtarë të Bashar al Assad

16 Qershor 2025, 17:53 / BOTA ALFA PRESS

Gjykata gjermane dënon me burgim të përjetshëm mjekun sirian

Një gjykatë në Frankfurt dënoi të hënën me burgim të përjetshëm mjekun sirian Alaa Moussa, 40 vjeç, për krime kundër njerëzimit të kryera në Siri gjatë viteve 2011–2012, në fillim të luftës civile.

Sipas raportimeve të The Guardian, Moussa ka punuar në spitalin ushtarak dhe burgun e inteligjencës ushtarake në qytetet Homs dhe Damask, ku torturoi dhe abuzoi me të burgosur politikë, të cilët ishin kundërshtarë të regjimit të Bashar al-Assad.

Gjykata e shpalli fajtor për dy vrasje dhe tetë raste të torturave të rënda. Viktimat e tij e përshkruan si një “sadist që gëzonte duke dëmtuar njerëz që i konsideronte inferiorë”. Në një rast, ai i injektoi një burri një substancë vdekjeprurëse përpara syve të të burgosurve të tjerë, ndërsa një tjetër viktimë vdiq pasi Musa e goditi me shqelm dhe më pas i dha një pilulë fatale.

Procesi gjyqësor zgjati gati 3.5 vjet dhe përfshiu dëshmi rrëqethëse nga dhjetëra të mbijetuar. Gjatë seancave, Musa qëndronte shpesh i heshtur, me kokën ulur.

Mjeku ishte vendosur në Gjermani prej 10 vitesh, ku punoi si kirurg ortoped në disa klinika deri në arrestimin e tij në verën e vitit 2020, pasi u identifikua nga viktimat në një dokumentar televiziv për qytetin e Homsit.

Prokuroria federale kërkoi dënim të përjetshëm, me masën shtesë të paraburgimit parandalues, çka do të thotë se ai nuk do të ketë të drejtë lirimi, për shkak të rrezikut që paraqet për shoqërinë.

Në gjykatë, Moussa mohoi akuzat dhe pretendoi se ishte viktimë e një komploti.

 

Po ndodh...

ide